Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur urdhrin e arrestit të Gjykatës së Hagës për presidentin rus Vladimir Putin një “vendim historik, nga i cili do të fillojë përgjegjësia historike”.
Zelensky ka thënë se Putin dhe komisionerja e fëmijëve Maria Lvova-Belova “janë bërë zyrtarisht të dyshuar për një krim lufte”.
“Deportimi i fëmijëve ukrainas është transferimi i paligjshëm i mijëra fëmijëve tanë në territorin rus,”- është shprehur presidenti ukrainas, duke shtuar se “një operacion i tillë kriminal do të ishte i pamundur pa urdhërin e liderit të lartë të shtetit terrorist”.
Kujtojmë se Rusia e ka hedhur poshtë vendimin e GJNP-së , duke e përshkruar si “të egër dhe të papranueshëm”.
Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka lëshuar një urdhër-arrest për Vladimir Putin dhe komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova, për “deportimin e paligjshëm” të fëmijëve ukrainas.
Sipas The Guardian, gjyqtarët e procedurës paraprake kanë vlerësuar se kishte “baza të arsyeshme për të besuar se secili i dyshuar mban përgjegjësi për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.
Më tej, bëhet e ditur se gjyqtarët fillimisht kanë konsideruar që lëshimi i urdhër-arresteve të jetë sekret, por më pas kanë vendosur që bërja e tyre publike mund të “kontribuonte në parandalimin e kryerjes së krimeve të mëtejshme”.