Për Arianit Ibrahimin, ish-partner i koalicionit të fundit me Alban Hysenin e VV’së që ia mundësoi pushtetin në Gjilan, është shpallur urdhërarrest nga gjykata. Ai po dyshohet për veprën penale “Ngacmimi”, teksa i njëjti është më vendbanim në Amerikë.
Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentin e gjykatës që dëshmon se për Ibrahimin është shpallur urdhërarrest në territorin e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë kërkesën e lartëcekur kundër të pandehurit Arianit Ibrahimi për shkak të veprës penale ngacmimi nga neni 182 të KPRK-së, gjykata ka tentuar që përmes ftesës dhe urdhëresës ta sigurojë prezencën e të pandehurit, mirëpo nuk ka mundur që të sigurohet prezenca e tij pasi që sipas policisë të njëjtin nuk kanë mundur ta gjejnë”, thuhet ndër të tjera në urdhëresën e gjykatës.
Urdhërarresti për Ibrahimin, nga ajo çfarë ka marrë vesh Insajderi, është lëshuar për shkak të ngacmimit që iu është bërë kryetarit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriut.
Insajderi ka kontaktuar me avokatin e Kushtrim Kadriut, Halil Azemin, i cili ka konfirmuar se ka marrë urdhëresën e gjykatës për urdhërarrest. I njëjti ka thënë se klienti i tij është ngacmuar e kanosur nga ana e të pandehurit.
“Po kemi marrë njoftimin nga Gjykata Themelore në Gjilan Urdhër Arrestin për z.Arianit Ibrahimi, kryetar i degës së AKR-së në Gjilan, i cili në kontuinitet ka shpifur, gënjyer ngacmuar e kanosur z.Kushtrim Kadriu tani kryetar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, për të gjitha këto lëndë kemi hapur procedura ligjore. Ne si përfaqësues ligjor jemi duke u munduar në mbrojte të ligjshmërisë dhe të integritetit e dinjitetit të z.Kadriu, e cila gjë është cenuar që nga viti 2022 pandërprer nga z.Arianit Ibrahimi, i cili tani ndodhet në arrati ku shpresojmë në kapjen e tij dhe sjelljen e tij para drejtësisë”, deklaroi ai për Insajderin.
Ibrahimi ka qenë partner i koalicionit bashkë me Hysenin deri vonë, para se ky i pari të zhvendosej në SHBA. /Insajderi.org/