Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mos themelimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore nuk marrin pjesë në komisione pasi marrin urdhra prej, siç i quajti ai, komisarëve të partisë.
Hoti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, tha se kryeministri, Albin Kurti, po vazhdon të qëndrojë nëpër seminare.
”Edhe sot, për të pestën herë, ka dështuar konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dyshimet për procedurat për sigurimin e rezervave shterërore. Urdhërat që i detyrojnë deputetët e mazhorancës të mos paraqiten në komision vijnë nga komisarët e nga kryeministri, i cili gjysmën e vizitave jashtë i ka në seminare e shkolla politike të së majtës në Greqi e vende tjera”.
Hoti deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i ka cilësuar si pjesë të “maskaradës politike”.
”Fatkeqësisht, këta deputetë janë bërë pjesë e maskaradës politike të Kurtit, i cili po angazhohet me ngulm që t’i pamundësoj opozitës të ushtrojë rolin e saj mbikëqyrës të punës së Qeverisë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka kritikuar Qeverinë për injorimin e opozitës si në rastin e mos dhënien e përgjigjeve për deputetët opozitarë, duke shtuar se kjo do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
”Mospjesëmarrja e mazhorancës në seancat e jashtëzakonshme të thirrura nga opozita, mospërgjigja e Kryeministrit në pyetjet parlamentare të opozitës, si dhe pamundësimi i punës së Komisionit Hetimor Parlamentar përbëjnë akte antikushtetuese dhe pamundësojnë funksionimin e demokracisë parlamentare në Kosovë. Padyshim se kjo anomali do të dëmtojë procesin e anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku respektimi i praktikave demokratike dhe lirive janë shumë të rëndësishme. Kjo anomali do të mbetet njollë e zezë dhe episod fatkeq në demokracinë parlamentare të Kosovës”, ka thënë Hoti.