Urdhri i Stavilecit: Për postin e kryeshefit, veproni bazuar në kërkesat e ambasadave - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Urdhri i Stavilecit: Për postin e kryeshefit, veproni bazuar në kërkesat e ambasadave

    Insajderi
    13 July 2016 - 13:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Posti i kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjen publike “Kompania e Ujësjellësit Rajonal -Prishtina”, ka nxitur edhe reagimin e ambasadave, të  cilat janë donatorët më të mëdhenj të sektorit të ujërave.

    Reagimi i tyre konfirmohet në shkresën që Blerand Stavileci, ministër për Zhvillim Ekonomik, më 11 korrik të këtij viti, i ka dërguar kryesuesit dhe anëtarëve të bordit të ndërmarrjes publike. Insajderi ka siguruar këtë shkresë.

    Bordi i kësaj ndërmarrje publike kryesohet nga Amir Gashi, një ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike në degën e Prishtinës. Në këtë degë të partisë më të madhe në vend, ka qenë aktiv edhe ministri Stavileci.

    Por, veprimet e Gashit gjatë procesit të përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv e kanë “hidhëruar” ministrin Stavileci, raporton Insajderi.

    Ministri i ka rikujtuar ish-kolegut të tij se është duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

    Ka renditur në shkresë argumentet që, sipas tij, përbëjnë shkelje ligjore. Po ashtu Stavileci përmend edhe faktin se donatorët e sektorit të ujërave janë duke kërkuar që në postin e kryeshefit të emërohet një person që ka përvojë në këtë fushë. Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Zvicrës janë donatorët më të mëdhenj të sektorit të ujërave.

    “Megjithëse nuk kemi pranuar informacione nga ju për procesin e përzgjedhjes së Kryeshefit të Ndërmarrjes ( për çka Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike duhet të jetë e informuar) me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi dhe në bazë të bisedave dhe shkresave që kemi këmbyer me donatorët e rëndësishëm të sektorit të ujërave, iu inkurajojmë që për përzgjedhjen finale të Kryeshefit të merren parasysh kriteret themelore, me theks të veçantë përvoja e kandidatëve në këtë sektor”, thuhet në shkresën e Stavileci dërguar kryesuesit të bordit, Amir Gashit.

    dokumenti

    Tutje në shkresë, Stavileci kërkon nga bordi i kësaj ndërmarrje që të veprohet në përputhje me ligjin.

    “Prandaj, duke u mbështetur në Ligjin për Ndërmarrje Publike kërkojmë nga ju që të na njoftoni në detaje për procesin e përzgjedhjes së Kryeshefit”, thuhet në këtë shkresë.

    Dy ambasadat- e Gjermanisë dhe e Zvicrës- edhe më herët kanë reaguar lidhur me politizimin e kësaj ndërmarrje publike.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, përfaqësuesit e dy ambasadave i patën dërguar shkresë zyrtare kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit Stavileci. Patën kërkuar që të ndërmarrin masa dhe të mos lejojnë që në poste të larta të kësaj ndërmarrje publike të emërohen njerëz politik.

    Aktualisht, bordi drejtues i Ujësjellësit Prishtina ende nuk ka arritur të përzgjedh për postin e kryeshefit ekzekutiv një prej kandidatëve që synojnë këtë pozitë.

    Procesi është përcjellë me parregullsi që nga maji i këtij viti.  Insajderi pati raportuar se gjashtëmbëdhjetë veta kanë konkurruar për postin e kryeshefit ekzekutiv të Ujësjellësit Prishtina. Katër prej tyre nuk kishin arritur të dëshmojnë që nuk janë nën hetime. Megjithatë, bordi i drejtorëve kishte ftuar për intervistim edhe katër konkurrentet që nuk kanë dorëzuar këtë dokument të kërkuar nëpërmjet konkursit publik.

    Ujësjellësi Prishtina- Kandidatët nën hetime intervistohen për postin e kryeshefit

    Një prej atyre që nuk kanë arritur të dorëzonin këtë dokument është Florent Hoxha.

    Ai ka mbajtur gjatë postin e nënkryetarit të komunës dhe nënkryetarit të degës së PDK-së në Lipjan. Por bordi i udhëhequr nga Amir Gashi, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e degës së PDK-së në Prishtinë, kishte vendosur që të ftohet për intervistim edhe ish-kolegu i tij partiak, në degën e Lipjanit.

    Zëvëndësi i Shukri Bujës synon postin e kryeshefit të Ujësjellësit “Prishtina”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark