Qendra e Studentëve në Prishtinë ka reaguar pas raportimeve të ngritura në rrjetet sociale dhe shqetësimeve për cilësinë e ushqimit në Mensën e Studentëve. Pas disa fotove që qarkulluan ku shfaqeshin insekte, fije floku dhe materiale plastike në ushqim.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Qendra e Studentëve deklaroi se “këto fotografi janë të orkestruara dhe qëllim keqe për t’a dëmtuar imazhin e mensës së studentëve.”
Sipas tyre “çdo artikull ushqimorë që hynë në depon e mensës, përgatitet në kuzhinë dhe servohet për student i nënshtrohet kontrollit tonë të brendshëm dhe periodikisht kontrollohet nga Inspektoriati Sanitar AUV-it.”
Sa i përket cilësisë së ushqimit, ata shtuan: “Ne konsiderojmë se shërbimet tona janë në nivel maksimal, duke ofruar ushqim cilësor dhe njëkohësisht niveli i higjenës është i mirë.”
Mensa e Studenteve është hapësira ku studentet banues në Qendrën e Konvikteve ushqehen dy herë në ditë përmes një pagese mujore që e realizojnë.
Kohët e fundit ka pasur shumë ankesa për mënyrën e përgatitjes se ushqimit dhe kujdesit nga stafi.
Në një grup në rrjete sociale janë publikuar fotografi, ku në pjatën e një studentes shihet edhe një krimb.
“Tash është ba boll, veç sot dy tri ankesa për ushqim apo e merrni seriozisht. Ftojmë U.D drejtorin të marrin masa urgjente“, thotë një student.
Një student tjetër është ankuar se së bashku me vezën i është servuar edhe lëvozhga e saj.
Në ushqimin e studentëve nuk po mungojnë as fijet e flokëve.
Lidhur me ankesat e studentëve Insajderi para publikimit të shkrimit i është drejtuar me pyetje edhe u.d. i drejtorit të Qendrës së Studentëve Ekrem Rudari i njëjti nuk është përgjigjur.
Gazeta Insajderi ka pyetur edhe AVUK-un, se a kanë kryer kontrolle së fundmi në QS, por edhe ata kanë zgjedhur të heshtin.
Ndërkohë me reagim ka dal deputetja, Albana Bytyqi, e cila tha se kjo gjendja është e papranueshme dhe një dështim i rëndë i institucioneve përgjegjëse.
“Kjo gjendje është e papranueshme dhe përbën një dështim të rëndë të institucioneve përgjegjëse për sigurimin e kushteve bazike të mirëqenies së studentëve tanë. Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë! Studentët janë e ardhmja e vendit tonë, dhe është turp që ata përballen me kushte të tilla gjatë kohës kur ata përpiqen të ndërtojnë një të ardhme më të mirë”, tha ajo/Insajderi