Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka reaguar rritjes së vazhdueshme të largimit të pjesëtarëve nga shërbimi si ushtar, duke thënë se për 10 muaj 70 ushtarë të FSK-së vullnetarisht u larguan nga ky institucion.
Ajo shtoi se ministri Mehaj duhet t’i propozojë Kuvendit rritjen e pagave të ushtarëve dhe jo të bëjë ekskursione në Kosovë.
“Alarm! Për 10-të muaj 70 ushtarë të Kosovës u demilitarizuan, pra vullnetarisht u larguan nga FSK-ja. Pse ka rënë kaq shumë morali i ushtarit??? Ministri i Kosovës në vend qe ti propozojë Kuvendit ngritjen e pagave të ushtarëve, të propozojë pagesën e rrezikshmërisë në shërbim dhe operacione, të propozojë të bëhet pagesa e kujdestarisë , që ta ngris moralin e ushtarëve, ai bënë ekskursione nëpër Kosovë dhe ndanë çmime për letërsi”, shkruan ajo.
Derisa gjatë ditës së djeshme, Gazeta Insajderi ka raportuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u përballur me rritje të vazhdueshme të largimit të pjesëtarëve nga shërbimi si ushtarë. Insajderi ka siguruar dokumentin me statistika që tregojnë shifrat enorme të pjesëtarëve të larguar me vetdëshirë. Sipas këtij drafti, në vitin 2022 Demobiliozim me vetdëshirë kanë kërkuar 70 ushtarë. Sipas burimit të gazetës brenda ushtrisë, disa nga arsyet e largimit janë kushtet e rënda brenda FSK-së dhe aplikimi i tyre për viza. Insajderi sjell detaje nga dokumenti ekskluziv.
70 ushtarë janë larguar me vetdëshirë nga shërbimi në Forcën e Sigurisë së Kosovës gjatë vitit 2022. Krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit ka një rritje të vazhdueshme të largimit. Një vit më parë, 2021 sipas statistikave të siguruar nga Insajderi, janë larguar 50 ushtarë.