Avioni i parë ushtarak me imigrantë të arrestuar pritet të niset të martën drejt Gjirit të Guantanamos, sipas zyrtarëve amerikanë, ndërkohë që administrata e Presidentit Donald Trump po përgatitet për mundësinë që të strehojë dhjetëra mijëra imigrantë në këtë bazë detare në Kubë.
Presidenti Trump tha se dëshiron që Pentagoni dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare ta zgjerojnë kapacitetin e qendrës për mbajtjen e imigrantëve në këtë bazë për 30,000 persona.
Një zyrtar, që dha detaje me kusht që të mos identifikohej, tha se ky fluturim do të mbartë rreth dhjetra imigrantë.
Imigrantët tashmë janë dëbuar në Guatemalë, Peru, Honduras dhe Indi përmes fluturimeve ushtarake.
Pentagoni njoftoi se planifikon dëbimin e mbi 5 mijë imigrantëve që po mbahen nga autoritetet amerikane në El Paso të Teksasit dhe në San Diego të Kalifornisë.
Fluturimet ushtarake janë mënyrë e kushtueshme për të transportuar imigrantët. Sipas njoftimeve të agjencisë Reuters, fluturimi ushtarak për dëbimin e imigrantëve në Guatemalë javën e kaluar ka mundësi të ketë kushtuar të paktën 4,675 dollarë për secilin imigrant.
Presidenti Trump po mbështetet gjithnjë e më shumë tek ushtria për të përmbushur agjendën e tij për imigrimin, përfshirë dërgimin e forcave shtesë në kufi, përdorimin e aeroplanëve ushtarakë për të zhvendosur imigrantët nga Shtetet e Bashkuara dhe për të hapur baza ushtarake për të ndihmuar me strehimin e tyre.
Drejtuesja e Departamentit amerikan për Sigurinë Kombëtare refuzoi të dielën të komentojë nëse imigrantet, fëmijët apo familjet do të mbahen në qendrën e burgimit në Gjirin e Guantanamo-s.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem ka thënë në të kaluarën se plani nuk është për të mbajtur imigrantët në Guantanamo pa një afat kohor dhe se administrata do të veprojë në përputhje me ligjet amerikane.
Baza tashmë ka një qendër imigrantësh – të ndarë nga burgu amerikan i sigurisë së lartë ku mbahen të dyshuarit e huaj për terrorizëm – që është shfrytëzuar rrallë gjatë dekadave të fundit, përfshirë për shtetasit nga Haiti dhe kubanezët e shpëtuar në det.
Administrata amerikane nuk ka dhënë hollësi se sa do të kushtonte zgjerimi i qendrës së burgimit në Guanatanamo, e cila ishte themeluar në vitin 2002 për të mbajtur militantët e huaj pas sulmeve të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara, në vitin 2001.
Ky burg i sigurisë së lartë është kritikuar nga një ekspert i Kombeve të Bashkuara në vitin 2023, i cili vlerësoi se trajtimi i të burgosurve në Gjirin e Guantanamo-s nga qeveria amerikane ishte mizor, jonjerëzor dhe degradues sipas ligjit ndërkombëtar. /VOA