Ministria e Mbrojtës ka kërkuar furnizime me pajisje për ushtarët e FSK’së. Përmes një thirrje publike, Zyra e Prokurimit brenda ministrisë ka kërkuar që përmes procedurës së hapur, ushtarët e FSK-së të furnizohen me pajisje si jelek anti-plumb dhe ‘sete për njësinë e hetimeve’. Por, që në start janë ngritur dyshime për kriteret e tenderit
Furnizim me Pajisje të Policisë Ushtarake për Nevoja te FSK-së, ky është tenderi që ka nisur Ministria e Mbrojtjes së fundi në të cilën planifikon që t’i shpenzoi 80 mijë euro.
Po kërkon që të blejë jelekë anti-plumb për njësinë e Policisë Ushtarake brenda ushtrisë kosovare, dhe për më shumë sete pajisjesh për hetuesit e kësaj njësie.
Por, ende pa filluar shqyrtimi i ofertave, Ministrisë i kanë dalë telashe me vet kriteret në këtë tender, njoftimi për të cilën kontratë është mbyllur me 31.05.2023.
Në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka shkuar një ankesë. Sipas ankesës, operatori ekonomik “PHANTOM SOLUTIONS SH.P.K.” ka thënë se Autoriteti Kontraktues ka pasur shkelje që nga momenti i publikimit të Njoftimit për Kontratë/Konkurs te Projektimit deri tek mbyllja e afatit për aplikim.
Sipas kompanisë ankuese, dosja e tenderit përbën paqartësi të shumta duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, çka ka ngritur dyshime për ta.
Një paqartësi, sipas operatorit ankues është për “afatin e Liferimit”- apo koha e sjelljes së materialit që ka kërkuar Ministria e Mbrojtjes.
Sipas tyre, edhe pse është publikuar, në dosje nuk është qartësuar nëse ky afat fillon nga data e pranimit të lejes së eksportit apo nga data e pranimit të porosisë.
“Autoriteti Kontraktues ka caktuar afatin e liferimit prej 90 dite, sipas dosjes “Afati I liferimit 90 Dite pas marrjes se Urdher Blerjes nga AK , me përjashtim te produkteve qe mund te kërkohet leje e veçante e Përdoruesit te fundit, Vetëm për Pjesën e parë ( Lot1)”.
Sipas tyre, Ministria “nuk ka qartësuar nëse ky afat i liferimit fillon nga data e pranimit te lejes se eksportit për Lot 1, apo nga data e pranimit te porosisë”.
“AK në specifikacionet teknike ka kërkuar “Outer shell from water-repellent hard wearing 1000D CORDURA fabric or equivalent.” Përderisa AK ka përdorur shprehjen ose ekuivalent nuk ka qartësuar se çfarë konsideron ekuivalente, dhe kjo me pas mund te shkaktoje probleme ne procesin e vlerësimit sepse shprehja ekuivalente pa qartësuar se çfarë konsiderohet ekuivalente është subjektive dhe le hapsire per interpretime te ndryshme” – thuhet në ankesë.
Sipas ankesës, Ministria me këtë veprim ka shkelur së paku tri nene të Ligjit të Prokurimit, por ata kanë listuar si të parinë nenin 7 që flet për diskriminim.
Për më shumë ata i kanë bërë me dije OShP-së që në këto kushte, kur ka kritere, sipas tyre, të paqarta, “Dorëzimi i ofertës se përgjegjshme është i pamundur”.
Sipas njoftimit në Prokurorim, ky tender kap vlerën 80 mijë euro.
Qëllim i realizimit të kësaj kontratë është ngritja e operacionalitetit dhe efikasitetit ne kryerjen e detyrave sipas misionit të MM-së dhe FSK-se, thuhet në njoftim.
Insajderi ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjes, por deri tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ta.