Ushtrohet ankesë kundër vendimit për caktimin e paraburgimit ndaj Ifran Lipovicës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ushtrohet ankesë kundër vendimit për caktimin e paraburgimit ndaj Ifran Lipovicës

    Insajderi
    22 August 2023 - 11:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbrojtja e të dyshuarit për rastin e aferës së rezervave shtetërore- zyrtarit Irfan Lipovica, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Lipovicës, zyrtarit Hafiz Gara dhe biznesmenit Ridvan Muharremi, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Mbrojtësi i të dyshuarit Irfan Lipovica, avokati Feim Alaj, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se bashkë me avokatin Durim Osmani, kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores.

    Kurse, mbrojtësi i të dyshuarit Ridvan Muharremi, avokati Mahmut Halimi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se gjatë ditës do të ushtrojë ankesë lidhur me masën e paraburgimit për të mbrojturin e tij.

    Edhe mbrojtësi i të dyshuarit Hafiz Gara, avokati Bekim Kelani, bëri të ditur se do të ushtrojë ankesë kundër vendimit të Themelores për caktimin e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij.

    Vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka marrë më 19 gusht 2023, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurit I.L dhe H.G për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i pandehuri R.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Themelores.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale nisi më 18 gusht 2023, në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi. Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

    Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark