Prostitucioni është një nga profesionet më të vjetra në botë, i cili vazhdon të ushtrohet edhe sot por në mënyra të reja. Ai njihet me termin eskortë. Unpublished investigon se si vajza të reja shqiptare kthehen në shoqërueset e seksit për persona me influencë dhe të pasur, duke e konsideruar veten një shkallë më lart se prostitutat që kërkojnë gjahun e tyre në rrugë. Kërkesat sot për prostituta janë të larta, nga njerëz me pushtet dhe para, ndaj edhe fitimet janë të majme.
“Një pjesë e femrave pasi ushtrojnë një kohë të gjatë aktivitetin e prostitucionit, nga të shfrytëzuara kthehen në shfrytëzuese. Kjo ndodh për faktin se duke qenë se kanë krijuar kushte të mira ekonomike, ato bëjnë ndërhyrje estetike.
Në këtë mënyrë ato krijojnë një status tjetër dhe e fusin veten në një tjetër klasë shoqërore, fillojnë dhe shoqërohen me persona të quajtur VIP, biznesmenë, duke rritur kështu edhe tarifat nga 500 deri në 2000 euro, në formën e eskortimit. Këto tarifa janë mësuar nga hetimet,” – shprehet drejtuesi i antitrafikut në drejtorinë e Tiranës Gjergji Nikolla.
Këto femra që quhen eskorta joshen pasi arrijnë të sigurojnë pagesa të majme.
“Ajo që sot është emancipuar, që tashmë nuk mund të kemi një prostitucion të rëndomtë, por në zhargonin e përditshëm quhen eskorta. Disa vajza marrin përsipër vetë t’iu ofrojnë disa meshkujve shoqërinë si fillim për darka të ndryshme, për ditëlindje të ndryshme. Më pas kundrejt pagesave të ndryshme kalojnë edhe përtej shoqërisë me klientin,” – thotë avokati Bledar Meminaj, për Unpublished.
Shqetësuese është përfshirja e studenteve në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.
“Në vitet e fundit, është vënë re që studentet, që vijnë nga rrethet në Tiranë, dhe disa kategori të tjera, kanë parë që ky aktivitet sjell përfitime të mëdha, kanë menduar ta ushtrojnë këtë lloj aktiviteti edhe krahas punëve të tjera që mund të bëjnë si call center, qendra masazhi.
Përgjithësisht e bëjnë me dëshirën e tyre, rrallë kemi konstatuar ndonjë që të jetë e detyruar. Ato sigurojnë klientë përmes njohjeve të tyre shoqërore, femrave të tjera që ushtrojnë prostitucion taksistëve, recepsionistëve në hotele dhe më pas ndajnë së bashku përfitimet,” thekson Nikolla për Unpublished.
Unpublished ju tregon se ku e zhvillojnë aktivitetin këto vajza eskortë.
”Një pjesë e tyre bazuar edhe në lidhjet që krijojnë, e ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe jashtë vendit, si në Holandë e Itali, apo edhe në vendet e Lindjes së Mesme si Abu Dabi apo Dubai,” – thotë drejtuesi i antitrafikut.
Përdorimi i shumtë i rrjeteve sociale dhe internetit ka bërë që të dalë një mënyrë e re prostitucion, ai që njihet si prostitucioni online.
“Një fenomen i ri që po hasim ne është edhe prostitucioni online, por që në kuptimin e ligjit, nuk konsumojnë veprën penale të prostitucionit por të shfrytëzimit të prostitucionit, pasi shërbimi ofrohet virtualisht dhe jo me kontakt fizik. Këto i ofrojnë vetë, i venë vetes një çmim dhe përfitimet i marrin po për vete,” – tregon drejtuesi i antitrafikut.
Një lloj tjetër prostitucioni që kemi hasur ka qenë ai në qendrat e masazheve, që ka qenë edhe më i godituri në vitin që lamë pas.
Për të gjetur klientët, ka një zinxhir individësh që funksionojnë perfekt, secili sipas rolit qe ka.
“Informacioni merret nga shumë burime. Ka persona të cilët kryejnë edhe shërbimin taksi por bëjnë edhe rolin e ndërmjetësimit. Edhe kjo kategori hyn tek shfrytëzimi i prostitucionit. Kjo gjë mund të kërkohet nga vetë prostitute ose mund të ofrohet edhe nga vetë personi I punësuar në këtë shërbim taksi,” – rrëfen drejtuesi i antitrafikut për Unpublished.