Rreth 60 përqind e gjermanëve aktualisht janë të vaksinuar të paktën një herë. Politikanët besojnë se tani është arritur një pikësynim: “çdo personi që dëshiron të vaksinohet në Gjermani mund t’i ofrohet një vaksinë”, sipas raportit për fushatën e vaksinimit të Ministrisë Federale të Shëndetësisë (BMG) të 26 korrikut, 2021, të cilin e ka lexuar DW.
Por gatishmëria për të vaksinuar ka rënë. Sidoqoftë për tremujorin e tretë,nga korriku deri në shtator, priten 100 milionë doza të tjera vaksinash. Oferta aktualisht e tejkalon kërkesën. Pra numri i vaksinave në dispozicion është i mjaftueshëm
Për shkak të mungesës së gatishmërisë për vaksinim, gjithnjë e më shumë qendra të vaksinimit në Gjermani janë bosh
Qeveria gjermane kishte premtuar se do të dhuronte të paktën 30 milionë vaksina deri në fund të vitit 2021. Vendimi i qeverisë federale pasoi në fillim të qershorit. Do të dhurohen dy vaksinat AstraZeneca dhe Johnson& Johnson.
Porosia: Të mblidhen vaksinat
Tani duhet të fillojë fushata për mbledhjen e vaksinave që do të dhurohen. Përgjegjëse është Ministria Federale e Shëndetësisë. Për këtë do të ketë një plan qendror, kështu vendosën ministrat e Shëndetësisë të federatës dhe të landeve më 19 korrik.
Sfida në këtë drejtim: Dozat e vaksinës që do të dhurohen, së pari duhet të mblidhen. Sepse jo vetëm që tani ka vaksina të mjaftueshme në dispozicion – tani ka shumë prej tyre në nivel lokal. Ka vaksina të mbetura në qendrat e shpërndarjes së landeve federale, si dhe doza vaksinimi që tashmë janë dorëzuar tek mjekët ose te qendrat e vaksinimit dhe pritet që të mos injektohen atje. Këto doza tani duhet të kthehen në depon federale.
Sidoqoftë, klinikat e veçanta nuk do të dhurojnë vetë doza të vaksinave jashtë vendit. Kohët e fundit, disa mjekë ishin ankuar se dozat e vaksinimit, të cilat ishin të nevojshme urgjentisht në vendet e tjera, janë në rrezik të skadojnë në Gjermani. “Dorëzimi i vaksinës COVID-19 të prokuruar në mënyrë qendrore nga Ministria Federale e Shëndetësisë te klinikat private, bashkitë ose landet federale është e rezervuar ekskluzivisht për qeverinë federale,” i thanë DW nga ministria e Shëndetësisë.
Shumica e donacioneve shkojnë për COVAX
Nga “java kalendarike 31”, domethënë nga 2 gushti, tha Ministria Federale e Shëndetësisë në përgjigje të një pyetjeje të DW, dozat e para të vaksinimit pritet t’i dorëzohen COVAX. Kontrata përkatëse ndodhet në fazën e “koordinimit përfundimtar”.
Sipas vendimit të qeverisë gjermane, katër nga pesë dozat e dhuruara të vaksinave do të shkojnë te COVAX. COVAX-i më pas përcakton se në cilat rajone të botës do të injektohen vaksinat.
“Buka për botën” (Brot für die Welt), agjencia e zhvillimit të kishave protestante në Gjermani bën thirrje për të ndërmarrë hapa më të shpejtë. Në Afrikë, për shembull, është vaksinuar vetëm një përqind e popullsisë. Prandaj është e rëndësishme të veprohet shpejt sepse një valë e tretë e rëndë po merr shumë jetë në Afrikë, i tha organizata DW. Në mënyrë ideale, COVAX duhet të ishte pajisur shumë më mirë që në fillim sesa ishte më parë.
Gjermania ka vendosur jo vetëm të dhurojë për COVAX, por edhe t’u dhurojë vaksina drejtpërdrejt shteteve të ndryshme. Kjo pritet të përbëjë 20 përqind të dozave të vaksinës së dhuruar. Donacionet do të bëhen veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, të Partneritetit Lindor, për shembull për Ukrainën ose Armeninë, si dhe për Namibinë. Tre milionë doza vaksinash janë planifikuar vetëm për Ballkanin Perëndimor.
Kritika ndaj “diplomacisë së vaksinimit” së vendeve donatore
Kur do të fillojë e gjitha, ende nuk duket plotësisht e qartë. Të ashtuquajturat donacione bilaterale pritet të fillojnë “sa më shpejt të jetë e mundur”, i tha Ministria DW. Detaje për këtë nuk mund të komunikohen ende.
Donacionet dypalëshe shpesh hapin diskutime. Ato kritikohen pasi shihen të lidhura me qëllime strategjike të vendit donator dhe se janë pjesë e një “diplomacie vaksinimi”. “Buka për botën” nuk e sheh problematike këtë. Donacionet dypalëshe “nuk janë ideale, por nëse përdoren në rajone ku nuk ka vaksinë tjetër, atëherë ato janë më mirë se asgjë”.