Valdete Idrizi, aktiviste nga Mitrovica, ka fituar çmimin ndërkombëtar për paqe “TheWIFTS Peace Award 2016”.
Ky çmim ndahet nga fondacioni që promovon dedikimin me pasion dhe integritet e barazi me qendër në Londër.
Kjo organizatë mbledh gratë nga mbarë bota nga të gjitha sferat e jetës, të dedikuara me pasion në fushën e tyre.
Valdete Idrizi është aktiviste dhe drejtoreshë e organizatës joqeveritare “CIVIKOS”, e njohur për veprimtarinë e saj në dy anët e ndara të Mitrovicës, veri edhe jug.
Ajo qysh nga përfundimi i luftës është angazhuar në shumë projekte me synim heqjen e barrikadave dhe bashkimin e qytetit të saj të lindjes, transmeton “zeri.info”.
Valdete Idrizi merret aktivisht me të drejtat e njeriut dhe të grave, barazi gjinore dhe temat më të ndjeshme të shoqërisë kosovare.
Ajo ka qenë fituese e parë e Çmimit për Guxim, të ndarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2008 edhe Çmimin tjetër për Paqe, që i është ndarë nga federata evropiane “Optimist Internacional”.
Kurse çmimin e fundit pritet që ta pranojë pas pak ditësh në Londër. /Insajderi.com