Në një cep të një lagjeje në qytetin historik Hampton të Virxhinias ndodhet një varrezë që ka gjasa të jetë varreza e parë afrikano-amerikane në territorin që sot përbën Shtetet e Bashkuara. Nëse është e vërtetë, do të ishte një fakt i rëndësishëm. William Tucker, foshnja e parë afrikane e pagëzuar në territoret e kolonizuara nga anglezët në Amerikën e Veriut mund të jetë varrosur këtu.
“Kemi zbuluar se jemi me prejardhje nga rajoni i Angolës, në një përqindje të madhe. Kjo vërteton atë që besonim prej kohësh,” thotë Vincent Tucker, trashëgimtar i familjes Tucker.
Analizat e ADN-së kanë konfirmuar se familja Tucker rrjedh nga Angola, vendlindja e Antonit dhe Isabelës. Djali i tyre, William, i pagëzuar me emrin e pronarit të plantacionit u lind në Virxhinia në 1624. Prindërit e tij ishin dy prej afrikanëve të parë të dokumentuar që silleshin si skllevër në koloninë angleze. Ata u sollën me anijen Luani i Bardhë.
Në qytetin Njuport të shtetit Rod Ajlend, historiani Keith Stokes kryeson përpjekjet për të ruajtur një varrezë të periudhës koloniale ku janë varrosur edhe skllevër:
“Që në vitin 1650 qyteti Njuport kishte një varrezë ku mund të varrosej kushdo, pavarësisht nga raca, klasa, etniteti. Nga viti 1705 pjesa veri-perëndimore e kësaj varreze përdorej për të varrosur vetëm skllevërit. Gjatë 100 vjetëve që pasuan, qindra e qindra gurë varri shënojnë skllevërit e varrosur. Kemi bindjen se gjatë kohës që përdorej aktivisht këtu janë varrosur rreth 3000 vetë”.
Historiani dhe familja e tij kanë rrjedhur nga disa prej afrikanëve të parë që u sollën në Tokën e Re në 1696 me anijen Sea Flower, anija e parë me skllevër që është dokumentuar në Rod Ajlend.
“Edhe njerëz të familjes sime janë varrosur këtu. Por mbi të gjitha kjo varrezë shërben për identitetin tonë afrikan. Burra e gra me prejardhje nga Afrika jetonin në të njëjtin komunitet dhe u varrosën në këtë vend. Në këtë mënyrë ndjej një lidhje direkte me historinë e komunitetit tim”.
Sot mbeten më pak se 300 varre me gurët e gdhendur me emrat e afrikanëve të hershëm dhe më pas të afrikano-amerikanëve të zonës. Historiani Stokes përpiqet t’i ruajë ato, ndërkohë që përpiqet të mësojë për banorë të hershëm si Duchess Quamino.
Vlera historike e kësaj varreze tani po bëhet më e qartë për komunitetin. Për familjen Tucker kjo varrezë shërben për të mësuar për të kaluarën e për paraardhësit, të cilët duruan shumë që të linin pas këtë histori.