×
  • Lajme
  • Lajme

    Vatra e zjarrit bëhet më problematike në Shëngjin, përfshihet një kompleks turistik- largohen turistët

    Insajderi
    30 July 2024 - 17:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Situata me vatrën e zjarrit në fshatin Mali i Shëngjinit vazhdon të bëhet problematike.

    Pasditen e së martës, zyrtarë të bashkisë së Lezhës kanë thënë se është djegur një biznes privat në afërsi të plazhit te Rana e Hedhun në zonën turistike të Shëngjinit.

    Zjarri ka kapluar çadrat dhe rrethojën në kompleksin turistik Inheritor, që gjendet pranë portit të Shëngjinit, në zonën që njihet si Rana e vogël. Në të kaluarën kjo ka qenë zonë ushtarake.

    Sipas raportimeve, disa turistë po largohen.

    Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor, për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe helikopteri Cougar, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në atë pjesë.

    Sipas autoriteteve, me kohë janë marrë masa për evakuimin e banorëve, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.

    Gjatë së hënës operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me rreth 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa të martën pos helikopterit Cougar, janë angazhuar edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale.

    Pas kërkesës drejtuar Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, shumë shpejt pritet të mbërrijnë dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri. Situata vazhdon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevoje për evakuim derisa kanë shprehur mirënjohje për partnerët e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për ndihmën e dhënë.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark