
Qeveria Kurti sot u kritikua për mënyrën se si është emëruar Irfan Lipovica Drejtor i Përgjithshëm i Akreditimit në MINT, person ky i arrestuar nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore. Gjë më keq s’ia la Kurti as kur e emëroi bordin e KEK-ut. Në të e vendosi Shpëtim Zharkun, i cili po mban pozitë menaxheriale tash e gati më pak se dy vite. Gjithsesi, ligji për ndërmarrjet publike parasheh që një anëtar i bordit të një ndërmarrje publike duhet të ketë së paku pesë vite përvojë në njësi të menaxhimit.
Qeveria Kurti nëpërmjet një mbledhje elektronike emëroi emrat e rinj në bordin e KEK-ut dhe atë të Postës së Kosovës.
Në mesin e emrave të emëruar në bordin e KEK-ut ishte edhe Shpëtim Zharku, i cili do të jetë tash e tutje anëtar i këtij bordi Në bord, gjegjësisht u emëruan: Valdrin Krasniqi, kryesues, Merita Kasapolli, anëtare, Filloretë Gashi-Sadiku, anëtare dhe Shpëtim Zharku, anëtar.
Zharku përveç pozitës në bord, ai mban edhe një pozitë tjetër në sektor publik. Atë të menaxherit të Departamentit në Menaxhimit të Regjioneve në Drejtorinë Teknike të Telekomit të Kosovës. Ai këtë pozitë të menaxherit e mban që nga korriku i 2023-ës.
Një gjë të tillë për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur zëdhënësi i ndërmarrjes publike Telekomi, Fadil Lepaja. Sidoqoftë, ai në mënyrë të pazakontë e ka kategorizuar si “pozitë menaxheriale” edhe punën e tij si koordinator për monitorim dhe raportim të projekteve. Po ashtu, duhet përkujtuar se një sindikalist nuk mund të mbajë pozitë menaxheriale.
“Punonjësi Shpetim Zharku aktualisht e mban pozitën e punës në Drejtorinë Teknike dhe IT, si Menaxher Departamenti – Menaxhimi i Regjioneve, që nga data10.07.2023 Para kësaj, z.Zharku ka qenë i sistemuar në pozitë tjetër udhëheqëse, menaxheriale, në zyrën e Drejtorit Teknik, si Koordinator për Monitorim & Raportim të Projekteve , nga 15.11.2014 deri më 9.07.2023”, ka thënë Lepaja në një përgjigje me shkrim për Insajderin.
Gjithsesi, emërimi i një personi me përvojë të mangët menaxheriale nuk duket se është në përputhje me ligjin për ndërmarrjet publike. Ligji për Ndërmarrjet Publike parasheh që anëtarët e bordit të një ndërmarrje publike të kenë së paku pesë vite përvojë menaxheriale në një njësi të caktuar menaxheriale.
Gazeta Insajderi iu drejtua me pyetje edhe Ministrisë së Ekonomisë, e cila është përgjegjëse për ndërmarrje publike, lidhur me atë nëse janë në dijeni për mungesën e përvojës së Zharkut në menaxhim. Insajderi kërkoi nga ky dikaster edhe CV-në e anëtarit të bordit të KEK-ut, por të njëjtin kërkuan që t’i referoheshim Zyrës së Kryeministrit.
“Përshëndetje i nderuar. Lidhur me këtë çështjen, ju lutem që pyetjet t’i adresoni tek Zyra e Kryeministrit (ZKM)”, thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim.
Siç edhe specifikohet më lart, Zharku ka marrë pozitë menaxheriale në Telekomin e Kosovës përgjatë Qeverisë Kurti. Pra, në kohën e kryeshefes ekzekutive Burbuqe Hana, e cila vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Siç ka marrë vesh Gazeta Insajderi nga burime përbrenda ndërmarrjes publike, kur ishte hapur konkursi për këtë pozitë, grada akademike specifikohej që të ishte e nivelit master. Zharku ishte zgjedhur, thonë burimet, për këtë pozitë përkundër se kishte nivelin bachelor. Telekomi kishte anuluar konkursin dhe kishte përshtatur gradimin akademik me atë të Zharkut. Pra, kandidatët mjaftonin që të ishin të diplomuar në nivelin bachelor.
Zharku është parë si “mbështetës” i ideve të Vetëvendosjes në të kaluarën. Siç specifikohet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje që mban datën e 29 janarit të 2019-ës, Zharku si anëtar i sindikatës së Telekomit bashkë me dy sindikalistë të tjerë mbështesnin idenë e VV’së që kundërshtonte privatizimin e ndërmarrjes publike.
“Sot Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare, Fatban Bunjaku, u takuan me Kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, dhe anëtarët e Kryesisë, Shpëtim Zharku dhe Naim Haliti. Në takim u bisedua rreth vendimit të qeverisë për nisjen e procesit të privatizimit, moszbatimin prej 6 muajsh të rezolutës së Kuvendit dhe situatës së punëtorëve”, thuhej në komunikatë.
“Sindikalistët na njoftuan se nga viti 2008, Telekomi i ka paguar qeverisë 530 milionëv euro dividentë. Investime strategjike nuk bëhen, lidhen kontrata abuzive, paguhen shpenzime marramendëse, punësohen persona me lista, kurse, në funksionin e auditit të brendshëm vendosen familjarë të pushtetarëve. Prokurorisë i janë kallxuar dhjetra kontrata abuzive, por nuk ka përgjigje nga ana e tyre. Drejtori i parafundit i Telekomit e gjeti këtë ndërmarrje me rëndësi ekonomike e strategjike me 48 milionë euro në thesar, dhe e la me 200-300 mijë euro dhe me borxhe të panumërta që paraqiten me procedura përmbarimi. Sindikalistët shtuan që edhe sot në Telekom ka gra e burra të shkëlqyer e të zotë në profesionet e tyre një pjesë e të cilëve prej rrethanave po zgjedhin largimin nga vendi”, vijon tutje komunikata e VV’së.
Gjithsesi, Zharku nuk është i vetmi person që si sindikalist ia kishte parë hairin Vetëvendosjes. Edhe kolegu i tij në sindikatë, Naim Haliti, i cili ishte edhe donator i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhje parlamentare, ishte bërë anëtar i bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.
Punësimet në stilin “Vetëvendosje” nuk janë fort të rralla.
Emërimi i Irfan Lipovicës në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Akreditimit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka ngritur shqetësime për proces të paligjshëm. Lidhur me këtë ka reaguar iniciativa ‘Corrwatch’.
“CorrWatch ka reaguar publikisht edhe më 26 nëntor 2024 duke kërkuar rishqyrtimin e procesit. Kjo pasi që CorrWatch kishte evidentuar se MINT ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke përfshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpalljen e konkursit, veçanërisht kërkesat për përvojën e punës në pozita drejtuese. Në listën e ngushtë të rezultateve të verifikimit paraprak ishin përfshirë dy (2) kandidatë, por vetëm njëri prej tyre i kishte plotësuar kushtet ligjore. Përkundër kësaj, në vend se të anulohej procesi për shkak se kishte vetëm një kandidat i cili kishte plotësuar kriteret, dy kandidatët u shpallën fitues për të kaluar në fazën finale të emërimit”, thuhet në reagim.
Lipovica është emëruar dje drejtor në mbledhjen e Qeverisë. Ai ishte arrestuar për dyshimet me dallevere në rezervat shtetërore.
Gazeta Insajderi kishte raportuar edhe për emërimin e zëvendësguvernatorit të BQK’së, Milot Cakajt (shok studimesh i Kurtit) nëpërmjet një konkursi të dyshimtë të cilin kishin refuzuar që ta monitoronin dhe s’e kishin mbështetur britanikët.
Insajderi raportoi për CV-në e Cakajt, si dhe mori vesh se përgjatë punës së gjatë në ‘Raiffeisen Bank’, asnjëherë s’kishte bartur pozitë menaxheriale.
“Mund të konfirmojmë se z. Milot Cakaj ka qenë i punësuar në Bankën Raiffeisen në Kosovë dhe ka mbajtur pozita të ndryshme në bankë. Sidoqoftë, asnjëra nga pozitat nuk kanë qenë menaxheriale në kuptimin e menaxhimit direkt të stafit”, thuhej në përgjigjen e ‘Raiffeisen Bank’ për Insajderin.
/Insajderi