Qeveria Kurti ka emëruar bordin e ri të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Telekomi i Kosovës”. Dy nga të sapozgjedhurit në këtë bord, më saktësisht kryesuesi, Petrit Nahi dhe Lindita Toçi nuk figurojnë në listën e ngushtë të kandidatëve që ishin ftuar për intervistim në maj të po këtij viti.
Qeveria dje votoi në mbledhje për bordin e ri të Telekomit të Kosovës me emrat si vijojnë: Petrit Nahi- kryesues; Rrezarta Pllana- anëtare; Sajmie Thaçi- anëtare; Lindita Toçi- anëtare, shkruan Gazeta Insajderi.
Dy nga ta, gjegjësisht Nahi si kryesues dhe Toçi si anëtare, nuk janë të përfshirë në listën e ngushtë të të ftuarve për intervistim.
Në mbledhje të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se nga 70 kandidatë, në listë të ngushtë kishin hyrë 29, teksa në listën përfundimtare 15 kandidatë.
Siç shihet nga lista e ngushtë e kandidatëve intervistues, i ftuar ishte edhe deri më tani kryesuesi i bordit, Shpetim Dobra, por i cili tashmë nuk bën pjesë në bordin e ri të Telekomit.
Qeveria nuk ka shpjeguar tutje se pse dy nga emrat e anëtarëve të rinj nuk kanë qenë të ftuar nga Zyra e Kryeministrit për t’u intervistuar në mesin e 29 kandidatëve.
Ata nuk e kanë bërë publike as listën përfundimtare të 15 kandidatëve, e cila është përmendur nga shefi i Qeverisë, Albin Kurti.
Vetëm një muaj më parë, Gazeta Insajderi raportoi se si deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni dhe Jeta Statovci, në cilësinë e anëtarëve të grupit punues në kuadër të Komisionit Parlementar për Ekonomi, vizitonin Telekomin dhe priteshin jashtëligjshëm nga bordi paraprak të cilëve iu kishte skaduar mandati dy muaj para asaj vizite.
Në një komunikatë që Telekomi ua dërgoi punonjësve të saj, të cilën e ka parë Insajderi, njoftohej për një vizitë nga dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Bëhej fjalë për Driton Hysenin dhe Jeta Statovcin, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonomi.
Hyseni citohej duke thënë se si komision parlamentar “janë të lumtur që Telekomi i Kosovës po ecë në rrugë të mbarë, si në respektimin e ligjit për ndërmarrjet publike, ashtu edhe drejt investimeve teknologjike në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore”.
Komunikata njoftonte se në takim ishin menaxhmenti i lartë i Telekomit të Kosovës, ku ishte edhe kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana. Pos saj, njoftohej se pjesë e takimit ishin edhe anëtarët e bordit drejtues të ndërmarrjes publike. Kjo dëshmohej edhe në fotografitë e bashkëngjitura në komunikatë.
Pjesë e takimit ishin anëtarët e bordit, të cilëve veçse iu ka skaduar mandati tash e dy muaj. Pra, në takim përkrah kryeshefes Hana shiheshin Shpëtim Dobra, dikur kryesues i bordit dhe Sajmie Thaçi, anëtare paraprake e bordit.
Kjo bie ndesh me nenin 8 të Ligjit për Ndërmarrjet publike, i cili parasheh se “secili drejtor i zgjedhur shërben në mandat prej tri viteve”.
Sajmie Thaçi është rizgjedhur anëtare e bordit gjatë ditës së djeshme. Emri i saj është lakuar në media si donatore e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 2021-ës.
Ajo kishte dhënë 20 euro donacion për partinë e Albin Kurtit më 10 shkurt të 2021-ës, disa ditë përpara “fitores së madhe”.
Bordi i Ri i Telekomit do ta gjejë ndërmarrjen publike me shumë probleme ligjore. Përveç problemeve financiare si shkak i dëmeve përmbarimore, bordi i ri do të perballet me procesin e ristrukturimit i cili qe nga muaji mars nuk është duke funksionuar si duhet.
Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për disa prej 19 ankesave nga punëtorët e degraduar të Telekomit, ku prej tyre ka marrë dënime në vlerë prej 46 mijë euro, të dhëna këto të evidentuara edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit. /Insajderi.org/