Takimet mes partive opozitare për të koordinuar aktivitetin që të sigurohet mbështetja për të iniciuar votën e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës kanë vazhduar edhe të mërkurën.
Këtë e ka konfirmuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se kanë pasur edhe sot një takim me përfaqësues të Nismës për Kosovën, parti kjo e cila e ka propozuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Haxhiu ka thënë se partitë opozitare janë duke bashkërënduër hapat që “t’ia dalim me e rrëzua Qeverinë”.
Por, sipas saj, meqë nuk mjaftojnë vetëm nënshkrimet e deputetëve opozitarë për të iniciuar votëbesimin në Kuvend, ata janë duke punuar intensivisht që të bindin edhe deputetët e koalicionit qeverisës.
“Tashmë ka disa deputetë që kanë thënë që do ta japin votën për të rrëzuar Qeverinë, dhe ne po presim qe numri të rritet”, ka thënë ajo në një intervistë për RTV Dukagjinin.
Edhe të martën, shefat e Grupeve Parlamentare të këtyre tri partive janë takuar për të diskutuar këtë çështje.
Haxhiu tutje ka shtuar se kryesia e partisë së saj është duke analizuar tekstin e mocionit të propozuar nga Nisma. Ajo thotë se ëshët e bindur se vendi do të shkojë së shpejti në zgjedhje.
Nisma për Kosovën ka propozuar javën e kaluar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ky propozim është përkrahur nga LVV dhe AAK si dhe disa deputetë të PDK-së dhe të pavarur.
Deputetët e Kosovës mund të iniciojnë një votë mosbesimi ndaj qeverisë vetëm pasi që të ketë mbledhur 40 nënshkrime. Pastaj, duhen 61 vota e më shumë që qeveria të mbes pa mandat dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ata kohë vlerësohej se Aleanca Kosova e Re kishte bërë “favor” PDK-së, e cila insistonte në zgjedhje të parakohshme
AKR kishte nisur mocionin e votëbesimit ndërsa atë e kishin votuar edhe vetë deputetët e PDK-së.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme atë kohë ishin bërë pasi ish-presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ishte njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit për shkak që kushtetuesja kishte gjetur se ai ka bërë shkelje meqë ka mbajtur të dy këto pozita.
LDK ndodhej në një krizë të brendshme si pasojë e këtij zhvillimi.
Në rrethanat aktuale, LDK përsëri shihet në pozitë të palakmueshme, meqë deputetët e kësaj partie nuk po i binden Isa Mustafës që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, tash e një kohë ka filluar një “tur dëgjimi” me qytetarët e Kosovës. Ai thotë se një gjë të tillë e bëri që të kuptojë më mirë “shqetësimet e tyre dhe prioritetet e vendit tonë”. Pas këtij turi, ai ka filluar një të ri: takime me ekspertë të fushave të ndryshme.
Sipas tij, këtë po e bën që të gjinden mënyra që vendi të ulë papunësinë./Insajderi.com