Vetëm ditën e djeshme janë publikuar katër kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro.
Kështu ka thënë deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke e cilësuar këtë si korrupsion, derisa ka thënë se duhet të dënohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
“Korrupcioni duhet të ndëshkohet. Në ekonominë e tregut askush s’ka të drejtë që në sektorë ku ka konkurrencë të negociojë kontrata me një kompani. Kjo është në kundërshtim me nenin 10 të Kushtetutës, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, respektivisht është keqpërdorim i detyrës zyrtare, dëmtim i buxhetit të shtetit – është KORRUPCION. Korrupcioni duhet të dënohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo edhe ka treguar se nga cilat insituticione janë lidhur këto kontrata, ku dy janë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe dy nga Korporata Energjetike e Kosovës.