Policia është duke kryer bastisje në fshatrat Varage dhe Ugljare, në territorin e komunës së Zubin Potokut. Kjo vjen pas sulmeve që kanë ndodhur ndaj institucioneve në veri dhe sulmit me eksploziv në kanalin e Ibër -Lepencit.
Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës tha se aksioni ende është duke u zhvilluar.
Ai tha policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, pas sulmeve të fundit me granata ndaj stacionit policor dhe Komunës, si dhe sulmit kriminal terrorist të ndodhur në veri të vendit, gjegjësisht te kanali i Ibër Lepencit, ka vazhduar me hetime intensive drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar. Si rezultat i kësaj, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, sot në veri të vendit është duke u realizuar një operacion policor i cili përfshinë disa lokacione”, tha ai.
Kelani shtoi se pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen të ditura informacionet shtesë.