
Grupi “Drenica 1” pritet që të dalë sërish të enjten para trupit të Gjykatës së Apelit, ku pritet të paraqesin argumentet e tyre avokatët e Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Sahit Jasharit dhe Sabit Gecit.
Seanca do të mbahet për të shqyrtuar ankesat e tyre kundër dënimit të shqiptuar vitin e kaluar për krime lufte.
Të gjithë të akuzuarit që përbëjnë atë që quhet “Grupi i Drenicës”, janë dënuar për krime lufte nga 3 deri në 12 vjet burgim.
Dënimin më i rëndë ishte shqiptuar ish-komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, për vrasjen e një civili, identiteti i të cilit nuk dihet, sikurse që nuk dihet as koha e saktë dhe vendi i saktë se ku ishte vrarë.
Shkalla e parë e kishte shpallur fajtor ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për veprën penale Krime të Luftës duke e shkelur rëndë Nenin 3 i përbashkët për Konventat e Gjenvës.
Në seancën e mbajtur dje, Gjëja e parë që e ka bërë të qartë kryetari i trupit gjykues, në rastin e “Grupit të Drenicës, ka qenë se gjyqtarët nuk ndihen të pasigurt për të gjykuar njerëzit më të fuqishëm në Kosovë, mes të cilëve ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe ish-komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku.
“Trupi gjykues nuk ndihet i kërcënuar në këtë rast”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Roman Rab.
Pjesë e këtij kolegji që po shqyrton ankesën e prokurorit dhe të disa të shpallurve fajtor për krime lufte është edhe gjyqtarja vendëse, Hava Haliti.