Sot ka ndërruar jetë Jetart Berisha, viktima e dytë e tentim-vrasjes së para disa muajve në Pejë. Ai ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por sot deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se familja e të ndjeri kishin bërë kërkesë që ai të trajtohej jashtë vendit, por që nuk arritën t’i sigurojnë nënshkrimet.
Sipas tij SHSKUK dhe Klinika e Mjekimit Intenziv e neglizhuan trajtimin e Jetart Berishës.
“Më shumë se dy muaj familja e tij kërkonin urgjentisht ta dërgonin për shërim në Itali, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv – MIQ nuk e nënshkruan dërgimin për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se gjendja e tij është stabile”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
“Vdekja e të riut Jetart Berisha erdhi pas një gjendje shëndetësore që kërkonte trajtim mjekësor profesional të avancuar dhe kjo nuk i’u mundësua ngq SHSKUK. SHSKUK dhe MIQ e neglizhoi trajtimin e Jetart Berishës!”, shkroi ai në Facebook.
Ai ka thënë se pikërisht mjekët italian kishin sugjeruar që ai të trajtohej në Itali.
“Mjekët italianë kishin sugjeruar që të trajtohet në Itali sepse gjendja e tij kërkonte intervenim te avancuar mjekësor për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të Jetartit. Si ndodhi që pas konstatimit të mjekëve tanë ‘se gjendja e tij është stabile’ Jetarti të ndërroj jetë?”.
Deputeti madje ka thënë se ky rast do hetim të prokurorisë “Rasti i radhës për prokurori, për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Jetart Berishës”.
Tutje ai u shpreh se sipas raporteve mjekësore të MIQ – SHSKUK, gjendja shëndetësore e Jetart Berishës ishte stabile dhe nuk planifikohej ndonjë intervenim dhe as nuk nënshkruanin për trajtim jashtë vendit.
Për më tepër ai ka bashkangjitur edhe kërkesën e familjes ndaj institucionit.
Vdekjen e të riut për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Ka vdekur edhe viktima e dytë e plagosjes para disa muajsh që ka ndodhur në Pejë. Prokurori i shtetit ka lëshuar urdhër për obduktimin e viktimës”, tha Nikçi.
Kujtojmë se në qershor kishte ndërruar jetë edhe babai i Jetart Berishës, Jeton Berisha.
Tre persona u patën plagosë me 22 maj në qendër të Pejës, pas një mosmarrëveshje.
Të plagosur kishin mbetur Jeton Berisha dhe dy djemtë e tij Jetnisi dhe Jetarti. Babai Jetoni dhe djali Jetarti kanë ndërruar jetë.
I dyshuar për këtë rast është Agron Gashi, të cilit Gjykata Themelore e Pejës, më 24 maj ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
/Insajderi