×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Vdekja e shoferit të kompanisë së multimilionerit Bujar Shabani, familja kërkon që rasti të hetohet seriozisht nga Prokuroria

    Insajderi
    15 August 2024 - 11:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Familja Hasani është shprehur e zhgënjyer me Prokurorinë Themelore në Ferizaj për mënyrën se si po hetohet vdekja e Rizah Hasanit, kamionistit të kontraktuar nga ‘Bageri’, firma e multimilionerit Bujar Shabani. Ata kanë shprehur dyshime, duke thënë se prokurori i rastit, Besnik Nuredini, ka neglizhuar disa prova.

    Në parashtresën informuese të cilën e ka parë Insajderi – të përpiluar nga avokati i familjes Hasani, Isuf Zejna – shtohen dyshime se rimorkio është modifikuar në vendngjarje. Dyshojnë se kamioni me të cilin humbi jetën, pronë e ‘Bageri’-t, ishte i mbingarkuar me material ndërtimor dhe se rruga në të cilën po kalonte tashmë i ndjeri Rizah Hasani s’lejon qarkullim të kamionëve të asaj madhësie.

    “Rimorkio e Kamionit me të cilin ka ndodhur rasti i cili kamion është vozitur në vazhdimësi nga i ndjeri, ka qenë rimorkio e modifikuar nga ana e Punëdhënësit për t’i shtuar volumin/madhësinë e rimorkios (shih, fotot e kamionit të shkrepura para aksidentit dhe menjëherë pas aksidentit, si dhe libri i homologimit). Në ditën kritike dyshohet se ky kamion ka qenë i mbushur deri në 44 tonë asfalt të shtresës së dytë, i cili është asfalt i një peshe më të rëndë për shkak të zallit të imtë dhe sasisë së madhe të bitumenit. Rruga përkatëse, sipas informacioneve tona nuk lejohet të qarkullohet nga kamionët e kësaj madhësie, për shkak të rrezikut që ka nga kthesat, pjerrtësia dhe gjerësia e cilësia e rrugës”, thuhet në njërën nga pikat e parashtresës informuese që iu janë dërguar prokurorit të rastit dhe kryeprokurorit të Ferizajt, Shukri Jasharit.

    Familja Hasani e ka parë me dyshim edhe se si rasti fillimisht është iniciuar si aksident trafiku, e më pas është modifikuar si vetaksident. Krejt kjo, sipas parashtresës, është bërë pa një raport të Inspektoratit të Punës. Madje thonë se s’është ftuar Inspektorati i Punës në vendngjarje.

    Po ashtu, familja në parashtresën informuese drejtuar prokurorit Nuredini pretendon se ky i fundit s’ka marrë si provë materiale videoincizimet nga baza e asfaltit ku është ngarkuar kamioni. Ata dyshojnë se ekziston dyshimi që videoincizimi mund të jetë asgjësuar.

    “Po ashtu për shkak se në vendin e ngjarjes nga gjurmët e gomave vërehet se vetëm gomat e pasme kanë frenuar dhe jo edhe gomat e tjerat, krijohet dyshimi i arsyeshëm se mjeti/kamioni mund të mos ketë pasur gjendje teknike të rregullt. Ne ju bëjmë me dije se ky kamion është praptuar nga ana e pasme dhe jo anësore, e që tregon se humbja e kontrollit ka ndodhur për shkak të mbipeshës dhe pamundësisë së kamionit për të bartur peshën e rimorkios në terrenin përkatës. Pra, nuk kemi të bëjmë me papërgjegjësi apo mungesë shkathtësie të shoferit, por mbingarkesë nga ana e Punëdhënësit. Ne kemi bërë matje të rrugës ku ka ndodhur aksidenti dhe sipas matjeve tona ajo rrugë është e gjerë 5 metër e 90 centimetra, gjë e cila nuk përputhet me konstatimin tuaj se rruga është e gjerë 7 metra”.

    Familja Hasani thotë se shprehet e zhgënjyer pse prokurori kujdestar nuk ka dalë në vendngjarje dhe rasti s’është trajtuar nga hetuesit e Policisë së Kosovës por nga njësiti i trafikut rrugor.

    Çka tha vëllai i Rizah Hasanit?

    Vëllai i Rizah Hasanit, Valon Hasani, tha se familja e tij kanë dyshuara të mirë-bazuara në fakte se kamioni i cili po e ngiste ishte i mbi-ngarkuar me material ndërtimor.

    Valon Hasani në një intervistë ekskluzive për Insajderin shtoi se kur ka qenë prezent në vendngjarje, ka parë që është modifikuar kamioni me të cilën humbi jetën vëllai i tij, Rizah Hasani.

    Pos tjerash, ai është ankuar për neglizhencë nga ana e Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin. Siç thotë ai, kur i ka kërkuar prokurorit të rastit ta hetojë çështjen e kamionit, ky i fundit ka thënë se s’mund të bëhet një gjë e tillë meqë materiali ndërtimor është derdhur gjatë aksidentit.

    I njëjti ka bërë të ditur edhe se biznesmeni Bujar Shabani i kishte kërkuar që t’ia kryente shërbimet e varrimit Rizah Hasanit, mirëpo që vëllai i tij, Valoni, s’kishte pranuar.

    Para më shumë se tri javësh, Insajderi raportoi për një kërkesë të zyrës së avokatëve lidhur me vdekjen e Hasanit në drejtim të Inspektoratit të Punës.

    Në kërkesën e zyrës së avokatëve “Rzzlaw”, shkruhet se vdekja e Rizah Hasanit përbën aksident në vendin e punës dhe se ka elemente që vdekja mund të jetë shkaktuar nga mos përfillja e masave parandaluese për të shmangur rrezikun.

    Duke marrë parasysh se vdekja e Rizah Hasanit përbën aksident në vendin e punës, dhe duke qenë se ka indikacione serioze se në këtë rast vdekja ka mund të shkaktohet si rezultat e mos përfilljes së masave parandaluese për shmangie të rrezikut në vendin e punës, konsiderojmë se është obligim i juaji ligjor kryerja e inspektimit dhe nxjerrja e raportit përkatësisht proces verbalit në këtë rast dhe po ashtu zbatimi i detyrimeve përkatëse ligjore. Nga ana juaj kërkojmë që të verifikoni nëse punëdhënësi në këtë rast ka perfillur masat ligjore për parandalimin e rrezikut, ka bërë trajnimet adekuate dhe me më më shumti rëndësi, nëse mbingarkesa e kamionit ishte shkaktar i vdekjes së Riza Hasanit”, thuhet aty.

    Me anë të kësaj shkrese ju drejtohemi me kërkesë për kryerjen e inspektimit ashtu siç ju detyron Ligii Nr. 04/L-161 per Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e që në paragrafin 2 të nenit 23 shprehimisht përcaktohet: “Për aksidentet në punë inspektori i punës detyrohet të bëjë procesverbal me shkrim me të cilin konstaton gjendjen faktike në kohen kur ka ndodhur aksidenti“, thuhet në kërkesën e siguruar nga Insajderi.

    Rizah Hasani humbi jetën në një aksident më 12 korrik të këtij viti. Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së tij kishte ndodhur në rrugën e njohur si “Reka e Vogël” në Ferizaj.

    Gazeta Insajderi kishte siguruar pamje nga vendi i ngjarjes atje, ku shihej kamioni i rrokullisur.

    Rizah Hasani është i riu që vdiq para më shumë se një muajisi shkak i një aksidenti në Ferizaj teksa po barte materialin ndërtimor.

    Ai po punonte për “Bageri”-n, firmën e biznesmenit Bujar Shabani. Familjarë të tij kanë hedhur dyshime se shteti po asiston në mbylljen e kësaj çështje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark