Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksidentit tragjik në fshatin Leshan të Pejës, ku humbi jetën të martën një pjesëtar italian i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sipas raportit 24-orësh të PK-së, në aksident janë lënduar një burrë dhe një grua shtetas të huaj dhe një burrë tjetër kosovar. Siç vijon njoftimi, në aksident u përfshinë dy vetura, raporton Gazeta Insajderi.
“Në rrugën Pejë-Prishtinë ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet në të cilin kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona një mashkull dhe një femër shtetas të huaj, si dhe një mashkull kosovar”, ka njoftuar policia.
Tutje, PK-ja bën të ditur se të lënduarit nga aksidenti janë dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është konfirmuar vdekja e ushtarit italian.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore. I dyshuari për shkaktim të aksidentit ka pranuar ndihme mjekësore, dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit për 48 orë nga prokurori kujdestar”, përfundon njoftimi.
Për humbjen e jetës së pjesëtarit të misionit paqeruajtës së Aleancës e ka konfirmuar vetë KFOR-i mbrëmë.
“Sot në orën 15.30 me orën lokale, një ushtar i Ushtrisë Italiane i punësuar në baza e KFOR-it në Novosellë ishte viktimë e një aksidenti rrugor derisa ai ishte në bordin e një VM90 automjet ushtarak, përgjatë rrugës që lidh komunën e Pejës dhe Klinës”, u tha në njoftimin e KFOR-it.
Në aksident bëhet e ditur se u lëndua një tjetër ushtar.
“Në mjetin e përfshirë në aksident ndodhej edhe një tjetër ushtar i cili u transportua në një gjendje të vetëdijshme dhe të qëndrueshme në Camp Villaggio Italia me ambulancë, dhe më pas u dërgua në spitali ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme”. /Insajderi.org/