×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Vdekje Patriarkatit – Liri Grave!

    Insajderi
    09 December 2022 - 11:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan Mirishahe Syla

    Besa (pseudonim) është një grua nga Kosova në të 20-at e hershme. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje të cilën antropologët do ta quanin familje tradicionale e patriarkale tipike e zonava rurale të Ballkanit. Në shtëpinë me katër dhoma ku është rritur ajo kanë jetuar së paku edhe 15 anëtare të tjerë: gjyshërit, xhaxhallarët e martuar me bashkëshortet dhe fëmijet e tyre, halla, prindërit dhe tri motrat e saj. Në atë shtëpi, dhoma e ndejës gjatë natës bëhej dhomë gjumi për gjyshërit e saj.

    Për shumë vite, deri sa u martua, edhe halla e saj flinte me ta në po atë dhomë. Dy nga dhomat e gjumit i zinin xhaxhallarët e saj, dhe në të tretën flinin Besa me tri motrat dhe prindërit. Ishte shumë e vogël për gjashtë persona ajo dhomë, më thotë Besa. Prindërit flinin në dy shtretër të cilët i shtrinin gjatë natës dhe mbyllnin gjatë ditës. Besa dhe motrat e saj përdornin dyshek jo aq të rehatshëm për t’u shtrirë në atë pak hapësirë që mbetej mes shtretërve të prindërve. Nëse i duhej të shkonte në tualet, i duhej të kalonte me kujdes nga dy motrat e saj që flinin më afër derës për të arritur derën. Prandaj, pas një kohe e kishte mësuar veten që sapo të flinte të mos zgjohej gjatë natës për ndonjë nevojë. Besa kishte një ëndërr të thjeshtë duke u rritur: të kishte një dhomë për vete.

    Tingëllon e thjeshtë. Por ndryshimet që do të duhej të ndodhnin në jetën e Besës që ajo të kishte një dhomë për vete, ishin larg mundësive që ajo njihte. Ngjarjet që do të ndodhnin në jetën e saj ishin po ato që kishin ndodhur në jetën e nënës së saj, hallave të saj, bashkëshorteve të xhaxhallarëve të saj – njëra nga të cilat tani kishtë një dhomë më të madhe se ajo në të cilën flinte Besa, e që e ndante vetëm me bashkëshortin e saj – ishin ngjarje që pritej të ndodhnin në mënyrë që ato të ndiqnin modelin e jetës tashmë të vendosur për to. Një model ku ato kalonin nga një shtëpi në tjetrën vetëm në rolin e ri që ato pritej të mirrnin, atë të bashkëshortes. Bashkë me këtë rol të ri vinin edhe shumë përgjegjesi, disa prej të cilave Besa tashmë i dinte sepse e kishin përgaditur një jetë të tërë për rolin e saj të ri që do t’i ndryshonte jetën, atë të nuses. 

    Besa ishte fëmiju i dytë. Ndryshe nga se e donte zakoni, ajo u martua më herët se motra e saj më e madhe. Kjo sikur nuk u pëlequ famijes së saj, gjë të cilën do ta kuptonte vetëm më vonë kur ata i bëjnë të ditur se nuk mund të gjente mbështetje tek ta sepse kishte zgjedhur të martohej jashtë rendit. Ishte 20 vjeçare kur u martua me një djalë që kishte njohur në shkollë të mesme. Ai ishte më i madh në moshë dhe tashmë punonte dhe kishte të ardhura të mjaftueshme sa për t’i ofruar Besës një jetë të cilën ajo nuk e kishte njohur më parë. Si e martuar, ani pse Besa nuk kishte një dhomë vetëm për vete, tani ajo kishte një shtrat ku flinte çdo natë, ndryshe nga motrat e saj të cilat vazhdonin të flinin në dyshekët që mbulonin hapësirën e vogël të mbetur në dhomë gjatë natës. Ashtu si në shtëpinë që e la, edhe këtu dhoma e saj e re ishte një nga dhomat në atë shtëpi në të cilën jetonin prindërit dhe vëllezërit e bashkëshortit te saj. Ani pse e dinte se jeta e saj e re mund të mos ishte e lehtë, se kështu e kishin të gjitha vajzat që martoheshin dhe ndryshonin jetën e tyre tërësisht. Besa nuk e kishte imagjinuar se do të kishte netë në atë dhomë ku do të flinte duke dëshiruar që të ishte duke fjetur mes motrave të saj në një nga ata dyshekë në atë hapësirë të ngushtë sërish. Në natën e tyre të parë të martesës, Besa iu lut bashkëshortit të saj të flinin atë natë sepse ishte e mërzitur dhe e lodhur nga dita e gjatë në rolin e nuses që iu desht ta performonte me aq përpikmëri. Nuk donte të krijonte përshtypjen se mund të ishte një nga ato të pabindurat. E ndjente se si e tërë jeta e saj po ndryshonte brenda ditës. Ai, sidoqoftë, insistoi duke i kujtuar Besës se si bashkëshortja e tij, tani ishte detyra e saj t’i plotësonte nevojat e tij seksuale. Mjafton të rrish shtrirë, i tha. Dhe ndodhi ashtu si deshi ai. Ata nuk patën marrëdhënie seksuale, bashkëshorti i saj e dhunoi Besen atë natë, për herë të parë. Besa e kujton atë natë si natën që mësoi të urrente trupin e saj si kurrë më parë.

    Bashkëshorti i kishte premtuar se sapo të martoheshin ajo do të mund të vazhdonte studimet. Do të ishte e para në familjen e saj që do ta bënte këtë. Nëna e saj nuk kishte përfunduar shkollën e mesme, të tjerat gra në familjen e saj nuk e kishin konsideruar mundësinë e vazhdimit të studimeve. Ndryshimet e vërteta po fillonin. Besa e kuptonte se kishte disa çmime ‘të vogla’ që ajo duhet t’i paguante rrugës, siq ishte plotësimi i nevojave seksuale të bashkëshortit të saj edhe kur ajo nuk e ndjente atë. Ishte diçka me të cilën ajo duhej të mësohej në fund të fundit, se kshtu edhe pritej prej saj, e kështu i kishin thënë edhe shumë gra të tjera: “Jo çdo herë do të jesh në disponim, por bën mirë të mësohesh”.

    Në një nga netët, bashkëshorti i saj i kumtoi se ai priste një femijë nga ajo sa më parë dhe se kishte vendosur që të mos mbrohej gjatë marrëdhënieve seksuale. Kjo, përkundër kërkesës së saj për të mos mbetur shtatzënë vetëm disa javë pasi ishte martuar. E kishte menduar se ideja e të qenurit nënë do t’i sillte gëzimin më të madh në jetë, por tani vetëm frikë po i sillte. Besa e kujton atë si natën që e kuptoi se trupi i saj nuk i takonte asaj. Ishte aty për të kënaqur dikë dhe për të riprodhuar për dikë. 

    ***

    Nëse më parë Besa e mendonte se jeta e saj do të ndryshonte kur ajo të arrinte të dilte nga ajo dhomë e ngushtë ku ishte rritur e ku nuk kishte asgjë të sajën, tani më nuk kishte as këtë shpresë. Tanimë e dinte se aty ku ishte, ishte dhoma nga e cila nuk mund të largohej më. As aty, asgjë nuk i takonte asaj. Ku do të shkonte përtej asaj? 

    Në shtëpinë e re, në rolin e ri, zgjohej herët në mëngjes, të paktën një orë para se bashkëshorti i saj të nisej për në punë, e që i binte diku rreth orës 05:30. Sapo zgjohej shkonte në kuzhinë nga ku sigurohej që të linte dritën ndezur në mënyre që në rast se zgjoheshin të tjerët, të kuptonin se ajo ishte zgjuar tashmë. Përgatiste ushqimin dhe kafen për bashkëshortin e saj para se ai të nisej për në punë, e pastaj edhe për të tjeret. Ishte nusja më e re në shtëpi, sipas tyre, e donte rendi që ajo t’u shërbente kafen e mëngjesit familjarëve. Pas një dite të zakonshme me punët e shtëpisë që përsëriteshin çdo ditë të njëjtat e që pritej prej saj të dëshmonte veten çdo ditë sa shumë mund të punonte pa shprehur ndonjë shenjë lodhjeje e aq më pak të mund të kërkonte kohë për vete, në mënyrë që të konsiderohej një nuse e mirë, ishte e fundit që shkonte të flinte pasi kishte përfunduar së lari enët e darkës dhe gotat e çajit. Pas një kohe, filloi që në mbrëmje kur shkonte në shtrat, t’i mbante këmbët lartë të mbështetura për muri nga dhimbja që thoshte se i shponte këmbët si me shpatë. “Mendoja se dhimbje të këmbëve kishin vetëm gratë më në moshë. Tani e kuptoj se ato ishin te vetmet që tregonin” thotë Besa.

    ***

    Muajt e parë të shtatzënisë ishin tejet të vështira për Besën, jo vetëm fizikisht. Nuk po arrinte të zgjohej me kohë, lodhej shumë shpejt, këmbët tashmë i shkaktonin cdo herë e më shumë dhimbje. Të paktën disa netë arrinte të flinte më mirë kur bashkëshorti i saj nuk kthehej në shtëpi, pa ndonjë shpjegim se ku ishte. Kishte guxuar ta pyeste një natë se ku po shkonte ai, të nesërmen u zgjua më herët se zakonisht për t’i mbuluar me makijazh shenjat e goditjeve të tij nga mbrëmë në krahë dhe fytyrë. E kishin dëgjuar të tjerët duke qarë një natë më parë. Të gjithë e dinin cfarë kishte ndodhur, askush nuk i tha asgjë. Vazhdoi ditën si zakonisht. Tashmë ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë. I kishin thënë se do të kishte një djalë. Kjo i lumturoi familjen e bashkëshortit pa masë dhe si shpërblim vendosën që të bisedonin me të duke i kërkuar që të ishte më i kujdesshëm me Besën. Por Besës shenjat e goditjeve i shpeshtoheshin dita e ditës. Pas shumë lutjeve që i kishte bërë bashkëshortit ta lejonte të vizitonte familjen e saj për disa ditë, shkoi atje dhe vendosi t’u tregoj në shtëpi cfarë po ndodhte. Kaluan katër ditë prej se kishte shkuar dhe vendosi të kërkonte të rrinte të paktën edhe disa ditë aty. Kërkesa e Besës e nervozoi aq shumë bashkëshortin e saj sa e goditi aty, para familjes së saj. Por, për çudinë e saj, askush nuk tha asgjë. Ata madje i kërkuan asaj që t’i bindej bashkëshortit të saj dhe të kthehej aty ku e kishte vendin, me të. Dhe kështu ndodhi, nuk është se ajo kishte ku të shkonte tjetër. 

    Me t’u kthyer në shtëpi, bashkëshorti i saj e rrahu aq keq sa ishte e bindur se do ta humbiste fëmijën. Kjo i dha forcë që ajo të kërkonte ndihmë edhe një herë nga familja e saj. E thirri motrën e saj e cila ishte martuar tashmë, që së bashku me bashkëshortin e saj të vinin e ta merrnin atë. Por kur bashkëshorti i motrës së saj kishte kuptuar për këtë thirrje, ai ishte nervozuar me motrën e saj dhe i kishte ndaluar që ajo të bisedonte me Besën sërish, duke i thënë se nuk u takonte atyre të përziheshin në punët private të tyre. Ai, natyrisht, e kishte lajmëruar bashkëshortin e Besës për këtë thirrje. Me ta marrë këtë lajm, bashkëshorti i Besës kthehet në shtëpi, e merr Besën dhe i thotë se do ta kthej në familjen e saj, deri sa ajo të lindë djalin e tij, e pastaj sapo të lindë do të marrë djalin të cilin ajo nuk do e takoj më. Përkundër lutjeve të saj, ata u nisën për në familjen e Besës, dhe ishte rrugës për aty ku fati i saj u duk se do të merrte një kthesë tjetër.

    ***

    Besën e kam takuar në një nga strehimoret në Kosovë për gratë që janë viktima të dhunës në familje. Në kohën kur e kam takuar atë, ka qenë shtatzënë në muajin e tetë, djalin e saj e lindi sa ndodhej aty. Besa ndodhej në strehimore falë një thirrjes anonime që ishte bërë në polici në ditën kur ajo ishte duke u kthyer të familja e saj me dhunë. Ajo më tregon së rrugës kishin ndaluar në një pikë karburanti, aty më thotë “me siguri dikush më ka parë, sepse në udhëkryqin e ardhshëm, policia e ka ndaluar veturën tonë dhe ka kërkuar nga unë të dal jashtë. Më kanë pyetur a jam mirë dhe u thash po, asgjë nuk ka ndodhur. Por ata mund t’i shihnin shenjat. Më kanë futur në makinën e tyre dhe prej aty më nuk e di çka ka ndodhur me bashkëshortin, deri sa kam ardhur këtu.” Besa vazhdon, “unë nuk e kam ditur se ekziston një vend i tillë, nuk e kisha mendu që mundem me ardhë këtu. Policinë e kam mendu me e thirrë një herë, por unë nuk kam telefon timin. Telefonin ma ka marrë ai pak muaj pasi jemi martu.” Më vonë, Besa e kishte kuptuar se bashkëshortin e saj policia e kishte ndaluar për 48 orë dhe e kishin liruar pastaj. Ajo e dinte se ai kishte një armë, dhe tashmë e kishte kërcënuar një herë se diçka mund t’i ndodhte edhe familjes së saj. “Nuk do të përfundoj mirë, e di” thoshte Besa.

    Në strehimore ajo mund të rri deri në gjashtë muaj. Ani pse dita në strehimore dukej shumë e gjatë e mbyllur brenda një ndërtese, gjashtë muaj dukeshin shumë të shkurtër për Besën për të rindërtuar jetën e saj. Kishte të përfunduar vetëm shkollën e mesme. Nuk kishte punuar ndoku më herët në ndonjë punë me pagesë, tani e dinte se ishte akoma më e vështirë të gjej punë si e mbijetuar e dhunës në familje. Gratë e tjera në strehimore i tregonin për përvojat e tyre me përpjekjen për të gjetur një punë. “Sapo e kuptojnë se vjen nga strehimorja, nuk duan t’ia dinë, thonë se nuk duan të përzihen në këto punë”. Besa nuk kishte as telefon të sajin. Nuk kishte pasur dhe nuk kishte asgjë. Frika më e madhe e saj ishte të kthehej edhe një herë në atë shtepi. E dinte se ai nuk do të ndryshonte, ashtu siq i kishte premtuar shumë herë. Por e dinte edhe se nuk kishte ku të shkonte pos të kthehej atje. Dhe ashtu kishte ndodhur. Pas disa muajve u njoftova nga stafi i strehimores se Besa ishte kthyer tek abuzuesi i saj. Ishte me siguri ajo ditë kur Besa e kuptoi se ajo ishte e vetme, pa e ditur se kishte një shtet të tërë që ekzistonte për të mbrojtur njerëzit si ajo, por kishte dështuar. Ashtu siq kishte dështuar të mbronte Dijanën e cila u vra nga burri i saj në mes të ditës në vend publik, përkunder që ajo kishte kërkuar ndihmë nga ky shtet. Ashtu siq kishte dështuar të mbronte Sevdinë, e cila kishte kërkuar ndihmë të vazhdueshme nga shteti duke e raportuar dhunën që po përjetonte nga bashkëshorti i saj, edhe ajo ishte vrarë nga ai më vonë. Ashtu siq shteti kishte dështuar të mbronte Valbonën me vajzën e saj nëntë vjeçare, të dyja të vrarë nga një burrë, dhunën e të cilit e kishte njohur ky shtet, sepse ishte lajmëruar me kohë. Ky shtet tani e kishte dështuar edhe Besën, pa e ditur ajo se mund të ishte aty për të. Kush më thotë se Besa mund të mos jetë gruaja e radhës që do të vritet nga një burrë? Apo kush më thotë se ajo në të cilën Besa mund të jetë duke kaluar tani, e që është e njëtë më shumë gra tjera, është më e lehte se vdekja? Dhe kush më thotë se ne mund të bindim Besën se ajo që po përjeton është dhunë që në një shoqëri e shtet të drejtë do të dënohej si krim kundër saj, ashtu siq parashihet me Kodin Penal të Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Apo ndoshta Besa thjesht duhet të mësoj të duroj, ashtu siq e kishin këshilluar gjatë tërë jetës tashmë?

    ***

    Kur Besa më tha se ëndërra e saj kishte qenë të kishte një dhomë për vete, mu dha t’i tregoja se kishte një libër për këtë. Ishte shkruar nga një grua e cila e dinte sa e rëndësishme ishte që një grua të kishte një dhomë për vete që ajo të kishte pastaj një jetë për vete, të mendonte e vendoste për veten. Por nuk ia thashë. Besa nuk e kishte lexuar Virginia Woolf, por tashmë e kuptonte më mirë se që do të mund t’ia thoja unë apo nga ajo që ka shkruar Woolf. Ajo e dinte se jeta e saj do të ishte shumë më ndryshe vetëm sikur t’i lejohej t’i besonte ëndrrës së saj se një ditë ajo mund të kishte një dhomë për vete: të ëndërronte e të kishte vërtet një dhomë për vete. Nuk e kishte ëndërruar se dhoma e saj e parë për vete do të ishte ajo ku ndodhej tani, si një viktimë pa një të ardhme, vetëm me një të shkuar.

    E dini cila është pjesa më e dhimbshme e historisë së Besës? Ajo është një nga të shumtat të tilla. Jeta e Besës është dëshmia e një sistemi shoqëror, politik, e ekonomik, që gruan e sheh si klasën e dytë, në fjalët e Simone de Beauvoir, si “tjetrën”. Ky sistem i rrënjosur thellë që nga familja deri tek institucionet e shtetit, quhet sistem patriarkal dhe ndërtohet nga e për burrat. Burrat në familje janë ata që marrin vendime për gratë dhe zotërojnë jo vetëm të mirat materiale por edhe vetë trupat e grave e vajzave aty. Pikërisht ashtu siq e parasheh Kanuni i Lekë Dukagjinit. Janë ata që i zotërojnë dhe trashëgojnë pronat ku ata jetojnë, gratë e vajzat shkëmbehen mes këtyre pronave, që nuk u takojnë. Ato mbesim pikërisht ashtu siq thotë populli “në derën e huaj” gjatë gjithë jetës. Sepse askund asgjë nuk është e tyre. Burrat jashtë familjes, i zotërojnë jo vetëm të mirat materiale por edhe ato shpirtërore, kulturore e politike të një vendi. Për ta flet historia. Kultura bëhet për t’i kënaqur ata. Politika udhëhiqet nga ta. Shteti paguan për punën e tyre. Janë ata që duan të mbajnë privilegjet që u ofron ky sistem përmes çdo forme të dhunës: emocionale, seksuale, ekonomike, e fizike. Ky sistem u mëson se ata mund dhe duhet të përdorin dhunën si mjet kontrolli, se vetëm kështu mbahet pushteti, dhe ata pushtetin e duan, kaq shumë.

    Në Kosovë, gjysma e popullsisë janë gra, 863.925 gjithsej nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 2011. Vetëm rreth 14% e tyre janë të punësuara me pagesë. Pjesa më e madhe e grave në Kosovë – edhe pse zgjohen të parat dhe flenë të fundit duke u mundësuar burrave të punojnë jashtë shtëpisë dhe duke mbajtur gjallë e rritur të tjerë – nuk paguhen për kontributin e tyre në shoqëri e ekonomi. Vetëm rreth 4% të grave në Kosovë trashëgojnë nga familjet e tyre. Gratë vazhdojnë të shihen si pronë, jo të zotërojnë prona. Përkundër ligjit për trashëgiminë në Kosovë që përcakton se ndarja e pasurisë në një familje duhet të bëhet në mes të gjithë anëtarëve të asaj familje, gratë nuk shihen si anëtare ashtu siq shihen burrat. Njerëzit vazhdojnë të besojnë se trashëgimia rregullohet dhe duhet të rregullohet sipas traditave. E tradita vetëm burrin sheh si person me aftësi e mundësi vendim-marrjeje. Ashtu siq parashihet në Kanun, “gruaja nuk ka tagër”, dhe gruaja nuk mund të marrë vendime në një familje, qofshin ato rreth fëmijëve të saj. Fëmijët që ajo lindë janë pronë e burrit të saj. Eshtë emri i babait ai që figuron në çdo dokument zyrtar sot, sikur duke e ilustruar për ironi pikërisht atë që thuhet në Kanun gjurmët e të cilit na pëlqen të pretendojmë se i kemi zhdukur tashmë.

    Në vitet e fundit në Kosovë, dhuna e burrave ndaj grave vazhdon të raportohet çdo vit e më shumë. Dhe akoma ky numër vazhdon të jetë më i ulët në krahasim me shkallën e dhunës që në të vërtetë gratë përjetojnë. Nga 1,000 deri në 1,500 raste të dhunës sa raportohen për çdo vit, shteti ynë arreston vetëm 400 deri në 500 dhunues të raportuar, as gjysmën. Dhuna vazhdon të mos njihet si dhunë, si nga vetë viktimat, si nga dhunuesit, si nga institucionet përgjegjëse për ta parandaluar e dënuar atë. Dhuna vazhdon të mos raportohet sepse viktimat nuk dinë ku ta raportojnë, nuk kanë si ta raportojnë, dhe e dinë se edhe po e raportuan, janë ato që mund të pësojnë. Përkundër çdo thirrje, ato mund të përfundojnë të vrara. Ashtu siq kanë përfunduar shumë prej tyre tashmë. Janë ato që largohen nga shtëpitë dhe vendosen në strehimore, përkunder që ligji  për Mbrojtje nga Dhuna në Familje përcakton që dhunuesit janë ata që do të duhej të largoheshin nga hapësirat e banimit dhe jo viktimat. Por shtëpitë ku jetojnë ato nuk u takojne atyre, u takojne dhunuesëve. Kur ato gjejnë strehim në një nga nëntë strehimoret në Kosovë, shpëtimi i tyre është i përkohshëm, sepse shteti nuk parasheh ndonjë program ri-integrimi për to. Në programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, theksohet që edhe shërbimet e rehabilitimit të viktimave mungojnë, përfshirë shërbimet e shëndetit mendor. Prandaj shumë prej tyre nuk e raportojnë, shumë prej tyre përfundojnë të vrara, dhe shumë prej tyre përfundojnë duke u kthyer tek dhunuesi i tyre edhe pasi të jenë larguar një apo më shumë herë.

    Nuk mund të ketë liri për gratë e asnjë prapavije, as për ato të privilegjuarat që mund të mendojnë se i kanë shpëtuar kthetrave të këtij sistemi që është i ndërtuar mbi shtypjen tonë i grup, pa i shkatërruar rrënjët e këtij sistemi. Nga familja deri tek shteti. Vetëm kur gratë janë të lira brenda një sistemi që i shtyp ato sepse janë gra, vetëm atëherë mund të ketë liri për të gjithë. Prandaj, për të shpëtuar nga një sistem që vret gratë, dhe për të qenë të lirë. Për të pasur një dhomë për vete dhe për të vendosur për jetën tonë, për të pasur mundësi të shpëtojmë nga dhuna dhe të mos vritemi: Vdekje Patriarkatit – Liri Grave!

    Shkrimi është publikuar fillimisht nga Kolektivi feminist

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark