Getoar Kamberaj, i moshës 16-vjeçare, i cili ishte plagosur nga pjesëtari i policisë, Fatjon Hoti në Dubravë të Istogut, ka humbur jetën.
Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Shkodran Nikçi.
“Ka ndërruar jetë viktima. Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar të bëhet obduksioni”, tha Nikçi.
Polici Hoti u suspendua nga detyra pasi që në natën e 15 korrikut, e kishte plagosur me armë zjarri tezakun e tij, Getoar Kamberaj.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se pas analizimit të kallëzimit penal në fjalë dhe shkresave të bashkëngjitura, Prokuroria ka ardhur në përfundim se në veprimet e të pandehurit në fjalë formohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, pasi që ka të bëjë me viktimën e mitur të moshës 16-vjeçare.
Në kërkesë thuhet se sipas raportit të oficerit, të datës 16 korrik, rezulton se më 15 korrik rreth orës 23:35 kanë pranuar informatën se polici i gjeneratës së fundit Fatjon Hoti, me armë zjarri ka plagosur një person në shtëpinë e vet, e më pas policia kanë shkuar në vendngjarje dhe janë ndërmarrë veprimet.
Më tej, thuhet se sipas procesverbalit të marrjes në pyetje për dëshmitarin (i mitur) në Polici, ai në prezencë të përfaqësuesit ligjor ka deklaruar se “…unë e pashë armën e Fatjonit që e ka të punës duke e mbajt në dorë G,. Unë sa e kom pa G., asnjëherë nuk e ka raportirat por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu mi hek plumbat prej tij, plumbat G., i gjuajke në kauq, më duket se i ka hjek të gjitha plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marrë Fatjoni armën dhe ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G., dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që e ka dhënë Fatjoni”. /Insajderi.org/