Në qytetin Sragen të Xhavas në Indonezi ka ndërruar jetë indoneziani për të cilin pohohet të ketë qenë njeriu më i vjetër në botë, Mbah Gotho 146 vjeç.
Gotho, i cili viteve të fundit shpeshherë është shprehur se dëshiron të vdesë, i ka dhënë përshëndetjen e fundit jetës në shtëpinë e tij.
Më 12 prill, Gotho ishte transferuar në spital për shkak të përkeqësimit të shëndetit, por pas gjashtë ditëve ishte liruar nga spitali me kërkesë të tij.
Të afërmit e tij janë shprehur se Gotho ka ngrënë shumë pak pas daljes nga spitali.
Gotho është varrosur në fshatin e tij në pjesën qendrore të Xhavas.
Zyrtarët e Regjistrit Civil në Sragen po përgatiteshin për vërtetimin e moshës së Gothos, të cilit edhe vetë nuk mund t’i kujtohet data e saktë e lindjes.
Si rezultat i ekzaminimeve, zyrtarët kishin nxjerrë në pah se Gotho ishte në moshën 146-vjeçare, duke thënë se të moshuarit i kishin dhënë një kartë identifikimi në të cilën shkruante se data e lindjes së tij është 31 dhjetor 1870.
Nipi i Gothos, Mas Suryanto, gjatë një deklarate për AA vitin e kaluar, ishte shprehur: “E vetmja gjë që i kujtohet gjyshit në lidhje me moshën është hapja e një fabrike të sheqerit gjatë kolonizimit holandez në vitin 1880. Pohimi nga ai se kur ka shkuar në hapjen e fabrikës ka pasur dhjetë vite, ishte ndihma më e rëndësishme për zyrtarët gjatë përcaktimit të moshës së tij. Gjendja shëndetësore e gjyshit është shumë e mirë kur kihet parasysh mosha e tij. Meqë ka problem me sytë, nuk mund të shikojë televizor, megjithatë, vazhdimisht dëgjon radion”.
Nga ana tjetër, Gotho thoshte se sekreti i të jetuarit gjatë është durimi dhe të shikuarit e jetës me pozitivitet dhe theksonte se për shkak të humbjes së shikimit dhe dobësimit fizik, shpeshherë dëshiron të vdesë, njofton AA.
Nipat e Gothos të cilët jetojnë një jetë modeste në një shtëpi të pavarur në Sragen, ishin shprehur se gjyshi i tyre kishte blerë një vend për varr kur kishte hyrë në moshën 122-vjeçare, konkretisht para 24 viteve.
Gjatë jetës së tij, Gotho është martuar katër herë, ndërsa i kishte humbur bashkëshortet, fëmijët dhe vëllezërit. Gotho ka 17 stërnipa nga 12 nipa.
Njeriu më i moshuar i regjistruar që dihet ishte francezja Jeanne Louise Calment, e cila kishte 122,5 vite kur vdiq më 4 gusht të vitit 1997./Insajderi.com