Faton Morina, ortoped, është ndarë nga jeta.
Lajmin e ka bërë Oda e Mjekëve të Kosovës përmes një njoftimi për media, ku ka shprehur ngushëllime për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij, shkruan Gazeta Insajderi.
“Prof. Dr. Faton Morina përfundoi studimet për mjekësi të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, ndërsa specializimin e përfundoi për Ortopedi në Fakultetin e Mjekësisë, në vitin 1987. Prof. Dr. Morina mbrojti temën e doktoratës në vitin 2003, në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në njoftim.
“Për vite me radhë u shërbeu qytetarëve të qytetit të Prishtinës, në lëminë e Ortopedisë. Ishte njëri prej doajenëve të ortopedisë dhe traumatologjisë osteomuskulare, dha kontribut të veçantë në pjesën pediatrike të ortopedisë. Roli i tij në edukimin universitar dhe atij specialistik të gjeneratave të reja ka lënë gjurmë të përjetëshme”, vijon njoftimi I OMK’së. /Insajderi.org/