Ferid Raka nga komuna e Kaçanikut ishte në moshë të shtyrë derisa kërkonte vazhdimisht kthimin në Kosovë nga Siria, por kjo dështoi të ndodhi. Ai vdiq atje.
I ftuar në InDoks të Gazetës Insajderi, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi e përmendi rastin e këtij të moshuari.
Sipas tij, vite më parë, një pjesë e tyre luftëtarëve, që janë nga Kosova, në këtë rast edhe Raka tentuan që të vinin për riatdhesim, por procesi për ta realizuar këtë gjë dështoi.
“Vlen të përmendet se në atë kohë, kur kishte tentuar të kthehet edhe një i moshuar që ishte mbi moshën 80 vjeçare por që tanimë si rezultat i gjendjes së tij të rëndë shëndetësore edhe ka ndërruar jete. Bëhet fjalë për Ferid Rakën nga Kaçaniku i cili kishte mbi 80 vjet, i cili tentoi të kthehej në Kosovë por që institucionet tona nuk i mbështetën për kthimin e tyre përkundër faktit që ata kishin mundësi të jenë afër kufirit Turqi-Siri”, ka thënë Elezi për InDoks.
Elezi thotë se ky grup shqiptarësh, dhe ata që ishin prej Kosovës sipas tij ishin kundër organizatës terroriste ISIS.
Por, as kjo nuk iu ndihmoi që të pranoheshin nga shteti i Kosovës, i cili deri tash ka pranuar mbi 100 shtetas kosovarë të kthyer me vullnetin e tyre nga konflikti në Irak e Siri.
“Po në fakt i bie që Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë refuzu këta luftëtarë dhe familjet e tyre dhe në këtë formë edhe e kanë mundësu operimin dhe veprimin e tyre në zonën në fjalë përkundër faktit që të gjithë këta luftëtarë dhe këto familje kanë qenë kundër ISIS-it kundër asaj se çka ka ndodhur në Siri dhe të njëjtit kanë shkuar atje për t’i mbështetur forcat siriane të opozitës dhe jo për të mbështetur ISIS-in dhe organizatat tjerë më vonë që u konsideruan tejet të rrezikshme nga qeveria amerikane dhe qeveritë e tjera evropiane”, ka deklaruar eksperti i sigurisë.
Gjatë bisedës, Elezi flet më në detaje për dështimin e shtetit të Kosovës për ri-atdhesimin e familjarëve të luftëtarëve shqiptarë në Siri.
“Kryesisht këta luftëtarë kanë familjet e tyre. Ata ju kishin drejtuar institucioneve të Kosovës për 43 familjarë të cilët kanë qëndruar rreth 2 muaj në kufi për t’i futur në Kosovë, dhe për të njëjtat informacione ne kemi biseduar së bashku madje në atë kohë ishte ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ku ju kemi dërguar të gjitha të dhënat e luftëtarëve dhe familjeve sidomos familjeve të cilat dëshironin që të kthehen në Kosovë por që në atë kohë Qeveria e Kosovës kishte dështuar të mundësojë riatdhesimin e tyre përkundër faktit që fillimisht i kishte thënë ata që duhet të jenë afër kufirit me Turqinë, të njëjtit kanë qëndruar rreth 2 muaj afër kufirit të Turqisë”.
“…kanë pasur komunikime të rregullta me Policinë e Kosovës me prokurorinë e Kosovës madje ne i kemi ndihmuar që të jenë në kontakte Policisë së Kosovës, drejtorisë kundër terrorit dhe të njëjtit kanë kërkuar që të ju mundësohet kthimi i grave dhe … ngase në atëkohë situata ishte rënduar në zonën ku operonte Al-Nusra”, potencoi ai.
Atdheu nuk i pranoi. Ata, sipas Elezit u desh që të ktheheshin mbrapshtë nga kufiri. U stacionuan në Idlib, aty ku tash funksionojnë si pjesë e shoqërisë sirianë, pjesa që ka mbetur ende e rebeluar kundër regjimit të Bashar Al-Asadit.
InDoks | Brenda shqiptarëve në Siri – Dokumentar ekskluziv për grupin e shqiptarëve në Idlib