×
Analiza

Veç 50 ditë qeverisje- pushtetin që s’e duroi Thaçi

Insajderi
03 January 2021 - 17:00
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Beadin Syla

Kosova ka disa vjet që nuk po bëhet rehat me qeveritë të cilat po dalin nga zgjedhjet parlamentare, që po organizohen parakohe, si pasojë e rënies së tyre. Asnjë qeveri që nga paslufta nuk ka arritur që ta përfundojë mandatin deri në fund, për shkak të koalicioneve fragjile, pa besim ndërmjet vete dhe, madje edhe skandaleve që janë shkaktuar gjatë qeverisjes.

Albin Kurti, erdhi në pushtet pasi partia e tij doli fituese e zgjedhjeve të organizuara, po ashtu të organizuara para kohe, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit, shkruan Gazeta Insajderi.  

Në fillim të 2020-tës Albin Kurti, ndonëse me vështirësi, arriti të bëhej kryeministër pas një koalicioni me partinë e Isa Mustafës, LDK-në.

Qeveria e re me Albin Kurtin, kryeministër, duket se nuk i pëlqeu ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, i cili ishte në postin e presidentit.

Por, meqë i arritur me mund, këtë e shfrytëzoi kreu i shtetit, ani se në mënyrë dinake për ta ndërruar pushtetin e ri me Kurtin në krye.

Orvatjet e tij për ta rrëzuar rivalin e vjetër, Thaçi gjeti një derë. Fillimi i pandemisë Covid-19, rastet që po shtoheshin çdo ditë, ia mundësuan presidentit Thaçi që të thirrte mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Këtë nuk e përkrahte rivali i tij në krye të qeverisë, Albin Kurti.

Mirëpo, vartësi i Kurtit në ekzekutiv, Agim Veliu, si ministër i Punëve të Brendshme, doli në krah të Thaçit. Po atë natë, pas mbajtjes së mbledhjes, Veliu tha se duhet të shpallet gjendja e Jashtëzakonshme.

“Unë personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi. Nuk është këtu çështja këtu a jemi me kryeministrin a presidentin por duhet të jemi sa më të organizuar, nuk është koha e kapriceve se a duhet të dominoj mendimi i tij a po i këtij, sepse ne jemi në shërbim të Kosovës. Po duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, kishte thënë Veliu.

Një deklaratë e tillë nuk i pëlqeu shefit të tij, Albin Kurtit. Në mëngjesin e nesërm iu hakmor vartësit të tij, duke e shkarkuar pa paralajmërim.

“Për mua ka qenë e papranueshme që në ato rrethana dhe sipas rekomandimeve të IKSHP-së, të ketë ministra që dalin pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, pati deklaruar Kurti.

Me këtë, qëllimi u arrit, koalicioni mes VV-së e LDK-së po shkonte drejt fundit, pasi partia e Mustafës nuk e kapërdinte dot shkarkimin e njeriut të dytë në parti. Kjo, edhe ndodhi. Pas 50 sitësh bashkëqeverisje, Albin Kurti u rrëzua me mocionin e ngritur nga partneri i saj qeverisës, LDK-ja.

Ashtu siç pritej, mocioni mori mbështetjen e deputetëve.

Albin Kurti hyri në histori si kryeministri më jetëshkurtër, me vetëm 50 ditë qeverisje. Ndaj LDK-së, Kurti s’e ndali hakmarrjen. Menjëherë pas rrëzimit të tij, mori një vendim tjetër. Shkarkoi zëvendësin e tij, Avdullah Hoti.

Rrëzimin e Kurtit mëzi po e priste, kreu i shtetit. Ai menjëherë nisi procedurat për t’ia dhënë mandatit një kandidati tjetër për të formuar qeverinë e re, tani, pa Albin Kurtin si shef. Provoi disa herë me VV-në, duke i dërguar letra për t’ia dërguar një emër për mandatar, por që VV-ja e Kurtit refuzonte një gjë të tillë.

Dhe, pas disa letrave dërguar VV-së, presidenti vendosi që mandatin t’ia jepte partisë së dytë.

LDK-ja ishte në rend. Ky dukej të ishte edhe synimi i Thaçit, qoftë edhe sjelljen e LDK-së në krye të ekzekutivit, por vetëm ta largonte Kurtin nga shefi i ekzekutivit. Kjo, për faktin se kryetari i VV-së nuk po i bindej në proceset e politikës së jashtme, sidomos në procesin e dialogut.

Donte, dikë me të cilin do të komunikonte lehtë dhe dialogun do ta qonte drejt një marrëveshje përfundimtare. Me Kurtin, kjo dukej e pamundur.

Pasi VV konsumoi të drejtën për të propozuar mandatarin, presidenti këtë ia dha LDK-së. Si për inat, partia e Isa Mustafës, caktoi mandatar për formimin e ekzekutivit, Avdullah Hotin, zëvendësin e Kurtit për 50 ditë.

Pasi mori mandatin nga Thaçi, kryeministri i ardhshëm, Avdullah Hoti, arriti marrëveshje me AAK-në e Nismën Socialdemokrate për të qeverisur.

Me 3 qershor, Avdullah Hoti dhe kabineti i tij, votohet në Kuvendin e Kosovës me fiks 61 vota. Dhe, atë me votën e fundit që e kishte siguruar pikërisht Thaçi, në orët e vona të natës, pasi i kishte shkuar në shtëpi Haxhi Shalës, për ta bindur që ta votonte Qeverinë e drejtuar nga Hoti.

Karrigën e shefit të Qeverisë, Hoti ia zuri ish-shefit të tij, Albin Kurti. Ashtu siç pritej, ky i fundit refuzoi që t’ia dorëzoi detyrën Hotit. Megjithatë, ai mori detyrën me 4 qershor, një ditë pasi mori votat në Kuvend. Ai si asnjë tjetër, parakaloi i vetëm në tepihun e kuq, pranë Gardës së FSK-së. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark