
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga qelia pas arrestimit me urdhër të Prokuroria e Posacme SPAK.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se është burgosur pa gjyq dhe se është tërësisht i pafajshëm.
Duke hedhur akuza mbi Prokurorin Olsi Dado dhe Erjon Banin, Veliaj shkruan se ata i kanë bërë vettingun e paligjshëm të 20 viteve të jetës së tij.
Ai thotë gjithashtu se akuza e SPAK se “meqë kam fluturuar me avion në vitin 2004 (pra, kur isha 24 vjeç), me Gent Sulën, si shpërblim pas 9 vitesh ia bëra gruan e tij zëvendësministre, kur në moshën 33 vjeçare m’u besua të drejtoja Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, është qesharake.
Veliaj thotë se prokurori Dado merr dyfishin e rrogës së tij për të bërë drejtësi, që sipas tij, nuk po e bën siç duhet, por futet nën fustanet e grave.
Postimi i Veliajt:
Mirëdita dhe bekime gjithsecilit!
Kur Ols Dado me Erjon Banin më burgosën pa gjyq dhe më ndaluan të gjitha kontaktet, me gjasë menduan se do të lodhesha së denoncuari përditë pazarin e tyre të shëmtuar, vetting-un e paligjshëm mbi 20 vitet e jetës sime – 10 vite si aktivist dhe 10 vite si shërbëtor publik.
Në dallim nga ata, unë nuk kam asnjë turp në jetën time, as kam vjedhur, as kam vrarë, as kam shantazhuar, e as do lodhem së zbërthyeri çdo akuzë.
Akuza qesharake që do të zbërthej sot lidhet me sajesën se, meqë kam fluturuar me avion në vitin 2004 (pra, kur isha 24 vjeç), me Gent Sulën, si shpërblim pas 9 vitesh ia bëra gruan e tij zëvendësministre, kur në moshën 33 vjeçare m’u besua të drejtoja Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Tani po e kuptoj hezitimin e saj, kur nga eksperte e Bankës Botërore i thosha të kalonte në shtet, prej skuthave kompleksivë si Ols Violina, që po panë një grua të mençur, të hijshme, të aftë, profesioniste, të pavarur, të dlirë, të artikuluar, të lexuar e të arrirë, i sulen si pitbull me jargë e skërmitje, për t’i thënë vetes “jam i fortë, shih si futem në fustane dhe e mbaj gruan e targetit 9 orë në inkuizicion”.
Por, unë jam Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jo anëtar i Urdhërit të Psikologut dhe ky qafir burrë, që paguhet sa dyfishi im për të bërë drejtësi të re, duhet çuar tek psikologu përpara se të hyjë nën fustane të tjera.
Padrejtësia diku, kthehet në padrejtësi kudo, ndaj kjo betejë do fitohet përditë e nga çdokush që do një vend të drejtë.
Ju dua shumë e më merr pafund malli për të gjithë ju!