Ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, nuk e kishte lejuat deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin në vitin 2012, që të përzihet në ministrinë të cilën ai e drejtonte, kur duhej vendosur për emërimin e një personi në një pozitë të lartë.
Por, në punën e tij si ministër ka ndërhyrë Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Kësisoj, rreth dy vite pasi ai më nuk gjendet në pushtet, Buja mund të përfundojë në burg nëse shpallet i fajshëm për akuzat për të cilat ngarkohet.
Së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Xhavit Dakajn, ata akuzohen se më 11 maj 2012 kanë lidhur marrëveshje me OE “ ALB – Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale te projekteve te iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15.05.2009 dhe anekskontratës së nënshkruar më 16.05.2011 për tenderin “Mbikëqyrja profesionale e objekteve kapitale te ndërtuara nga MASHT”, pa një procedurë të re tenderuese.
Por, përveç ish-ministrit, edhe vëllai i tij, Shukri Buja, është duke u ndjekur nga drejtësia për korrupsion.
Ish-kryetari i Lipjanit, aktualisht deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të komunës dhe një biznesmen, akuzohen se “kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë, ku kanë tejkaluar autorizimet e tyre, gjithnjë me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për të tjerët dhe me këtë duke i shkaktuar dëm tani të dëmtuarave: komunës në fjalë dhe ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e AKP-së”.
Vëllezërit Buja janë persona me ndikim në Komunën e Lipjanit. Ata kanë qenë pjestar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa janë edhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës./Insajderi.com