Për të kaluar ditë pushimi në shtetin e vogël ballkanik, në Kosovë, vendi ka shumë për të ofruar.
Andaj, nëse keni ndonjë mysafir të huaj që do të qëndrojë për disa ditë në Kosovë, ju mund të sugjeroni këto vende për t’i vizituar.
Peizazhe të bukura, malet e larta, qendrat e vjetra të qytetit, ujëvarat dhe ndërtesat e lashta fetare janë opsionet për një vizitë të bukur në Kosovë.
Lugina e Rugovës, është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Rugova është regjion i përshtatshëm për alpinizëm, bjeshkatari, skitari, ngjitje në shkëmbinj, lëshim me parashuta, e piknik me familje.
Të fshehura larg në natyrë janë edhe ujëvarat e bukura të Mirushës. Mirusha zë vend kryesor në fushën e turizmit në Kosovë, dhe zona të tilla vështirë gjenden diku tjetër në Ballkan. Gjatë vizitave, vizitorët mund të shohin detaje të reja të shkëmbinjve që rrethojnë ujëvarën.
Po ashtu Mirusha, paraqet prapavijë të bukur për fotografi turistike.
NewBorn-i është monument i pavarësisë së Kosovës i cili u shpalos në ditën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Monumenti u krijua posaçërisht për këtë ditë dhe iu mundësua pjesëmarrësve festues, që në skulpturë të nënshkruajnë. Skulptura u vendos në qendër të Prishtinës vetëm për ditën e pavarësisë për të shënuar lindjen e Republikës së Kosovës.
Në Prishtinë po ashtu mund të vizitohen edhe Biblioteka Kombëtare, Muzeun Kombëtar, Parku i Gërmisë, Xhamia e Sulltan Mehmet Fatih e të tjera.
Prizreni dhe Gjakova ishin qendrat më të zhvilluara tregtare gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan. Edhe pse qytetet e vjetra ishin shkatërruar në luftën e vitit 1999 në Kosovë, rrugët janë rikthyer në stilin e tyre tradicional. Në Prizren gjendet kështjella e vendosur më pak se njëzet minuta nga qendra e qytetit. Nga atje ju do të keni një pamje mahnitëse të Prizrenit. Aty janë edhe monumente të tjera të mbrojtura, si hamame, kisha e xhami.
Qendra e skijimit Brezovica, është një vendpushim popullor në jug të Kosovës, në afërsi të kufirit me Maqedoninë. Brezovica është qendër kosovare e turizmit dimëror dhe veror në Malet e Sharrit. Shtigjet e skijimit gjenden 12 km larg fshatit me të njëjtin emër në komunën e Shtërpcës. Me mundësit që Brezovica ofron për dashamirët e skijimit, ajo është qendra turistike më e vizituar gjatë dimrit në Kosovë. Në lartësinë mbidetare prej 1718 m, në Livadhin e Madh gjendet teleferiku më i ri. Stacioni i daljes nga ky teleferik është në lartësinë 2212 m mbi nivelin e detit.
Manastiri ortodoks serb, i cili ndodhet në komunën e Deçanit gjendet në listën e trashëgimisë kulturore dhe historike botërore, imagjinohet si vend i përkryer – i rrethuar me pyje, e në formë të bukur. Është një nga kishat më të bukura që keni parë ndonjëherë. Një vend i duhur i turizmit në Kosovë.
Natyrisht, për të treguar histori më të të vjetër të Kosovës mund të preferoni të viziotni edhe kalatë në Artanë e Harilaq.
Kështjella e Harilaqit është ndërtim i periudhës romake që datonte që nga shekujt IV-VI. Vendi i zbulimit në Harilaq, gjendet rreth 20 kilometra në perëndim të Prishtinës.
Në Ferizaj, mund t’i tregoni për bashkëjetesën fetare në Kosovë. Në një oborr, xhamie e kisha së bashku./Insajderi.com