Ministri i Diasporës, Valon Murati, e sheh si shumë të nevojshme përfaqësimin politik të diasporës në institucionet e Republikës së Kosovës. Mënyra më e mirë sipas tij është përmes vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo ai ka shprehur skepticizëm se kjo mund të arrihet shpejt. Në një intervistë dhënë gazetës Epoka e Re, Murati ka bërë me dije se këtë proces mund ta vonojë kompleksiteti politik dhe juridik i ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës.
“Përfaqësimi politik i diasporës është një zgjidhje që do ta mbyllte edhe debatin mbi përfaqësimin e diasporës në institucionet e vendit. Sidoqoftë, ashtu siç e kam thënë edhe më herët, jam skeptik se kjo mund të ndodhë shpejt për shkak të kompleksitetit politik dhe juridik”, ka thënë Murati.
Ministri Murati ka thënë se minoritetet janë rreziku më i madh të cilët mund ta pengojnë ndryshimin e Kushtetutës.
“Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa shumicën e kualifikuar të dyfishtë që nënkupton 2/3 e gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe 2/3 e deputetëve të pakicave. Jemi dëshmitarë të bllokimit të procesit të shndërrimit të FSK-së në ushtri të Kosovës”, është shprehur Murati.
Murati ka treguar se ministria që drejton ka bërë përgatitjet e nevojshme për t’u ofruar shërbime sa më efikase bashkatdhetarëve gjatë qëndrimit në Kosovë. Sipas tij, shumica e komunave e kanë zgjatur orarin e punës, madje ka prej tyre që do të punojnë edhe të shtunave.
Ai ua ka inkurajuar bashkatdhetarëve që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit të diasporës.