Vendimi i Trump për pezullimin e fondeve, Shqipëria rrezikon të humbasë 10.8 milionë dollarë mbështetje – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendimi i Trump për pezullimin e fondeve, Shqipëria rrezikon të humbasë 10.8 milionë dollarë mbështetje

    Insajderi
    30 January 2025 - 15:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shqipëria rrezikon të humbasë 10.8 milionë dollarë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë vit si pasojë e urdhrit të Presidentit Donald Trump për të pezulluar ndihmat.

    Pjesa më e madhe e këtyre parave, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit, janë planifikuar të shkojnë për forcimin e demokracisë, mirëqeverisjen dhe të drejtat e njeriut. Në pesë vitet e fundit Shqipëria ka marrë mbi 76 milionë euro ndihma, 38,5 milionë prej të cilave i përfitoi vetëm gjatë vitit të shkuar, shkruan A2.

    Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është ndër institucionet që ka përfituar një pjesë të konsiderueshme të fondeve, mbështetje e cila shte planifikuar të vijonte edhe këtë vit. Nga rreth 2,3 miliardë lekë në total që buxheti i SPAK është këtë vit, 700 milionë lekë ose 29,5% e totalit janë financimi i huaj. Paratë nga “përtej Atlantikut” zënë një peshë të konsiderueshme.

    Në fakt, të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë përfitojnë financim të huaj, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë gjyqësor, atë të Prokurorisë, Gjykata Kushtetuese apo Shkolla e Magjistraturës. Të paktën për momentin, mbështetja amerikane me para do të mungojë jo vetëm për këto institucione.

    Të mërkurën, Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgoi notë diplomatike të gjithë institucioneve më të larta shqiptare, ku njoftohet ndërprerja me efekt të menjëhershëm e mbështetjes dhe fondeve, deri në një rishikim të dytë. Lista e institucioneve të cilave iu pezullohen fondet përfshijnë edhe ministritë, bashkitë, Parlamentin apo Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe atë të Sigurisë.

    Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera partnere, përfshirë Bashkimin Evropian, Shqipëria planifikon të marrë 36,5 miliardë lekë mbështetje këtë vit. Me pezullimin e parave nga Amerika, për momentin institucionet duhet të shfrytëzojnë vetëm paratë e shpërndarja nga Buxheti i Shtetit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark