Vendimi i UP-së që favorizon Ministrin Hoti – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendimi i UP-së që favorizon Ministrin Hoti

    Insajderi
    19 April 2017 - 19:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një vendim i Këshillit Drejtues të UP-së në fund të vitit të kaluar, që favorizon profesorët të cilët mbajnë poste politike, duket se është shfrytëzuar nga Ministri  i Financave Avdullah Hoti, i cili sot u kritikua se mban katër lëndë si profesor anipse ka pozitë me përgjegjësi të lartë në Qeveri.

    Vendimi i marrë më 13 tetor 2016 parashihte disa lehtësira ndaj profesorëve që mbajnë poste politike, e që nuk parashiheshin për profesorë të tjerë.

    Aty tregohet se drejtuesit e UP-së kanë vënë rregulla rigoroze për stafin mësimdhënës që përveç UP-së ka marrëdhënie pune edhe në institucione tjera, organizata jo-qeveritare, kompani publike apo private. Sipas vendimit, ata duhet të deklarohen nëse dëshirojnë të kenë marrëdhënie të rregullt pune me UP-në.

    Nëse vendosin që të angazhohen rregullisht në organizata tjera, atëherë në UP mund të paguhen vetëm si bashkëpunëtorë të jashtëm, për orët e mbajtura gjatë një semestri. Kjo nënkupton ndërprerjen e marrëdhënies së rregullt të punës me UP-në.

    Por, ky vendim nuk është kaq rigoroz për politikanët.

    “Personeli akademik i zgjedhur apo emëruar në poste publike, gjatë periudhës së ushtrimit të postit publik, nga universiteti i Prishtinës do të kompensohet me pagë sekondare”, thuhet në këtë vendim.

    Ministri Avdullah Hoti është kritikuar të mërkurën nga shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, se aktualisht është duke mbajtur katër lëndë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

    “Në Fakultetin Ekonomik ka pasur konkurs ku ka konkuruar një koleg juaj nga kabineti qeveritar. Ministër, në Fakultetin Ekonomik, Hoti ka marrë 4 lëndë të rregullta dhe në komision kanë qenë dy anëtar të partisë së tij që është konflikt interesi kjo, dhe si mundet ministri të kryej të gjitha punët”, ka thënë deputetja Bajrami.

    Në anën tjetër, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, është përgjigjur se ministri Hoti është mësimdhënës tash e sa vite në Fakultetin Ekonomik dhe bëhet fjalë për rizgjedhjen e tij.

    “Është i barabartë si çdo kandidatë tjetër dhe trajtohet i barabartë”, tha ministri Bajrami.

    Por, vendimi ka paraparë edhe lehtësira të tjera për politikanët. Në pikën nëntë të këtij vendimi thuhet se orari i punës në Universitetin e Prishtinës për stafin mësimdhënës është katërdhjetë orë në javë, përkatësisht nga ora 8:00 deri në ora 16:00.

    Sipas atij vendimi, personeli akademik i cili përcaktohet për pagë primare në Universitetin e Prishtinës, janë të obliguar që në Universitetin e Prishtinës të punojnë sipas orarit të punës të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, përveç në rastet e lejuara sipas pikës 6 të këtij vendim. Ky vendim, bazuar në arsyetimin e tij është marrë duke marrë “parasysh se një numër i konsideruar i personelit akademik të UP-së, përveç marrëdhënies së rregullt të punës në UP mbajnë edhe pozita tjera publike në institucione të ndryshme, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe vijueshmërisë në punë si dhe përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie”./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark