
Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurit D.B. dhe E.B., të cilët dyshohen për vepra penale që lidhen me terrorizëm dhe përhapje të urrejtjes ndërfetare.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se ekziston rreziku real që të pandehurit të ikin nga drejtësia, të ndikojnë në prova apo dëshmitarë dhe të përsërisin veprat penale për të cilat dyshohen, shkruan Insajderi.
Gjykata ka theksuar se pesha e veprave është e rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e të dyshuarve është e lartë, ndërsa masat alternative ndaj paraburgimit janë konsideruar të pamjaftueshme.
Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, D.B. dhe E.B. dyshohet se në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, në një periudhë të pacaktuar kohore deri më 1 maj 2025, kanë shpërndarë në rrjete sociale si TikTok dhe Facebook përmbajtje që përkrahin organizatën terroriste ISIS.
Gjithashtu, ata dyshohet se kanë vendosur flamurin e kësaj organizate mbi çatinë e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me përmbajtje arabe në mure dhe kanë propaganduar ideologji ekstremiste fetare, duke shprehur armiqësi të hapur ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare.
“Ekziston dyshimi i bazuar se në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, të dyshuarit prej kohës së pavërtetuar e në vazhdimësi deri me datën 01.05.2025, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje e mosdurim midis grupeve fetare si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare në atë mënyrë që të njëjtit kanë postuar në TikTok dhe Facebook material duke e përkrahur organizatën ISIS, ashtu që kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste ISIS mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre dhe përmes rrjeteve sociale kanë propaganduar ideologjinë e tyre ekstremiste.”
Në njërën nga videot e publikuara, i pandehuri D.B. shfaqet me fytyrë të zbuluar përpara një shtëpie ku valëvitet flamuri bardhë e zi i ISIS-it. Përmes këtyre postimeve, të dyshuarit kanë shprehur armiqësi të thellë ndaj institucioneve të Kosovës, Forcave të Sigurisë së Kosovës, liderëve politikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre ekstremiste.
Gjykata thekson se ekziston dyshim i bazuar për përfshirjen aktive të të pandehurve në këto veprime dhe për bashkëkryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacione paraushtarake ose parapolicore jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.