×
  • Lajme
  • Lajme

    Vërshimet shkaktuan dëme te shumë familje

    Insajderi
    24 June 2024 - 22:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shiu i rrëmbyeshëm me breshër e erëra të forta që përfshiu një pjesë të Kosovës të dielën në mbrëmje, shkaktoi probleme për shumë familje. Kjo pasi uji u hyri brenda. Shiu me breshër vjen pas një moti të nxehtë, ku temperaturat ditëve të fundit u janë afruar 38 gradëve celsius.

    Ujërat e zeza bashkë me mbeturinat vërshuan brenda shtëpisë së Lumturije Gjoshit në lagjen “Kalabria” në Prishtinë. Ajo thotë se nga reshjet e shpejta të së dielës në mbrëmje, i janë shkaktuar shumë dëme materiale.

    “Për shkak të mos përgjegjësisë të secilit individ që i hedh mbeturinat vend e pa vend. Me ardh një frigorifer, batanije,  nuk ka asgjë që nuk vjen nga ky kolektor. Tash veç është fundi, jemi lodhë nga kjo situatë. Që tri-katër herë jemi duke i ndërru nxemjet qendrore për shkak po u dëmtohen nga uji”, deklaron Lumturije Gjoshi.

    Ajo thekson se sa herë që bie shi, shtëpia e saj vërshohet nga uji.

    “E kam një pyetje për kryetarin e Komunës së Prishtinës, a jam e obliguar t’i bartë mbeturinat e krejt Prishtinës. Secili e ka obligim mi pagu dhe mi hedhë në vendin e duhur, e jo mu derdhë në shtëpinë  time. Investimet në shtëpi janë shumë të mëdha”, shton ajo.

    Hiç më mirë nuk është situata  as në familjen Halimi në kryeqytet.

    “Dëme ka se sepse disa sende janë dëmtu…sot e pastroj por prap nëse bie shi , do ta kemi të njejtën situatë..”, thotë Bekim Halimi, banor në lagjen “Mati1”.

    Përveç nëpër shtëpi, shumë përdhese të ndërtesave në kryeqytet janë ende nën ujë.

    Nën ujë u panë edhe makineri të ndryshme të bizneseve. Nga shiu e breshëri i madh që ra të dielën në disa pjesë të Kosovës, si edhe në Prishtinë, u vështirësua  edhe qarkullimi.

    Komuna e Prishtinës ka krijuar shtabin e krizës për menaxhimin e situatës edhe në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme të shiut. Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, thotë së është ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët.

    Reshje të shiut janë raportuar edhe në disa komuna të tjera.

    Por Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se sasi e madhe e reshjeve u regjistrua në rajonin e Prishtinës. Sipas Institutit, kjo javë do të jetë mjaft dinamike dhe me paqëndrueshmëri sa i përket motit. /RTK

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark