
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për refuzimin e ankesës së partive opozitare për zgjedhjen e Hashim Thaçit president, “tregon se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka respektuar në tërësi procedurat ligjore dhe Kushtetutën e vendit gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Shtetit.”
“Të gjithë duhet të ndihemi mirë për këtë. Verdiktet e tilla, nga të gjithë ne përfaqësuesit e qytetarëve, qoftë pozitë, qoftë opozitë, duhet të respektohen dhe njëkohësisht të na shërbejnë si një mundësi e re për t’u bashkuar në tryezën e dialogut e mirëkuptimit politik,” ka thënë Veseli.
“Vetëm së bashku mund t’i përballojmë më lehtë sfidat e reja”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të hënën që të shpallë të papranueshme kërkesën e partive opozitare për të shqyrtuar ligjshmërinë e zgjedhjes së Hashim Thaçit si president i vendit.
Kërkesa e opozitës ishte bërë në fillim të muajit mars, vetëm disa ditë pas zgjedhjes së Thaçit.
“Gjykata Kushtetuese, ne mbështetje te nenit 113.5 te Kushtetutës, te nenit 27 dhe nenit 42, paragrafi 1.3, te [..] vendos: I. ta deklarojë kërkesën te papranueshme; II. Të refuzojë kërkesën për mase te përkohshme; III. Ta refuzojë kërkesën për dëgjim publik”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Hashim Thaçi pritet të marrë detyrën e të parit të vendit më 8 prill.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur si të padrejtë këtë vendim.//insajderi.org