Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, homazhet e tij për 28 Nëntorin i ka filluar prej varrit të Isa Boletinit.
Veseli ka thënë se sot zemrat e të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, rrahin njësoj.
“Për një shekull rresht e kemi festuar këtë ditë të madhe, me sy dhe zemër nga Vlora. Sot kësaj feste i shtohet dimensioni i munguar për 100 vjet. I shtohet Boletini, vendlindja e heroit kombëtar Isa Boletinit”, ka thënë Veseli.
Kreu i Kuvendit ka thënë se sot sfidat tona nuk janë më sfida të luftës, por të paqes.
“Janë sfida për ta forcuar shtetin e së drejtës dhe për ta zhvilluar ekonominë prodhuese. Janë sfida për ta zhdukur varfërinë dhe papunësinë nga familjet tona dhe për t’u krijuar perspektivë të sigurt shkollimi dhe punësimi, në vendin e tyre, të rinjve tanë. Janë sfida për ta bërë të begatshme Kosovën dhe jetën e qytetarëve në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim të saj”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Veseli ka thënë se Republika e Kosovës është shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë në etni, religjion apo shoqëri.
“Sot, ndokush pretendon të vendosë kundërshti në mes identitetit shtetëror të Kosovës dhe identitetit kombëtar. Dikush flet edhe për përçarje flamujsh apo datash historike. Por, e kanë gabim. Të tillët vetëm tregojnë se sa pak e njohin historinë dhe sa të paqartë e kanë të ardhmen”, ka thënë ndër tjera kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kreu i Kuvendit ka thënë se forcimi i identitetit shtetëror të Kosovës është begatim i identitetit kombëtar.
“Është njëkohësisht fuqizim i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin tonë. Është përmbushje e idealit për të cilin luftoi gjithë jetën tribuni popullor Isa Boletini, por edhe brezat që erdhën pas tij, deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe komandanti legjendar i saj, Adem Jashari”, ka thënë ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se kujtimi për bacën Isë dhe veprën e tij në shërbim të atdheut do të jetë i paharruar./Insajderi.com