Isa Mustafa dhe Kadri Veseli s’kanë arritur të merren vesh as për datën se kur do ta dërgojnë demarkacionin në Parlament. Kryetari i LDK’së ka thënë se këtë muaj s’ka shanse të shkojë për votim shënimi i vijës kufitare me malazezët. Ndërsa, Kryetari i PDK’së ka thënë se javën e ardhshme do të votohet demarkacioni.
Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli dhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, për herë parë janë përplasur publikisht me afatin se kur duhet të votohet shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi.
Veseli në dy paraqitje publike ka ‘siguruar qytetarët’ se këtë muaj do të votohet demarkacioni. Madje, Kryetari i Parlamentit ka folur edhe në emër të Qeverisë, duke thënë se javën e ardhshme do të procedohet kjo çështje në Parlament, shkruan GazetaExpress.
Mirëpo, Shefi i Qeverisë, Isa Mustafa ka thënë se këtë muaj nuk do të procedohet demarkacioni as në Qeveri dhe as në Parlament. Ka treguar se javën e ardhshme do të shkojë në Bruksel për të kërkuar heqjen e demarkacionit si kusht për liberalizim të vizave. Tek kur ta marrë përgjigjen e BE’së, Mustafa ka thënë se demarkacioni do të procedohet për votim. Madje, ka thënë se më së voni marrëveshje për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të shkojë për votim deri në gjysmën e këtij viti.
“Javën tjetër do të jem në Bruksel”, ka thënë Mustafa, në emisionin Rubikon të KTV’së.
“Korriku i 2017-ës nuk duhet të na gjejë duke diskutuar për Demarkacionin, sepse atëherë edhe nuk kemi pse të debatojmë për këtë çështje për shkak të vizave”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, e premte, lideri i PDK’së, pas një bisede me një zyrtar të Amerikës, Hoyt Yee, ka thënë se demarkacioni do të votohet javën e ardhshme.
“… Në këtë drejtim, ata u pajtuan që Demarkacioni të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër”, thuhej në njoftimin nga zyra e krye parlamentarit Veseli.
Të dy kryetarët e partive në koalicion kanë paralajmëruar se nëse dështon demarkacioni atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në LDK janë afër dhjetë deputetë që kundërshtojnë versionin aktual të demarkacionit sikurse edhe në PDK që janë disa deputetë të Dukagjinit që kanë paralajmëruar votë kundër këtij procesi. Opozita – VV, AAK e NISMA- kanë organizuar edhe protesta për të kundërshtuar shënimin e vijës kufitare me malazezët me arsyen se Kosova do të humbë territor.
Sidoqoftë, Veseli e Mustafa kanë nisur fushatën e takimeve me aktivistë dhe militantë partiakë. Kryetari i PDK’së fushatën po e bën gjatë ditëve të javës, kurse, Kryetari i LDK’së gjatë vikendeve.
Derisa Veseli po lëshon akuza se Kosova ka dështuar në ekonomi, në punësim e zhvillim, Mustafa po thotë se ekonomia është rritur dhe është zvogëluar papunësia.
Në këtë situatë, në procedurë është edhe një mocion i mosbesimit ndaj Qeverisë i iniciuar nga NISMA për Kosovën. Këtë ide për rrëzimin e Qeverisë deri më tash e kanë përkrahur edhe disa deputetë të PDK’së.
Ndërkohë, idenë për zgjedhje të reja , PDK e kishte nisur në tetor të vitit të kaluar. Atëkohë, Kadri Veseli kishte thënë se me një marrëveshje mes partive politike edhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte deklaruar ai.(gazeta express)