
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk ka komentuar për faktin se deputeti i dorëhequr nga ky post, Azem Syla ende nuk është dorëzuar tek autoritetet përkundër faktit se po kërkohet për t’u arrestuar nën dyshimin për krim të organizuar dhe shpëlarje parash por e ka komentuar dorëheqjen e tij nga posti i deputetit.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, Veseli ka komentuar këtë akt të Sylës, disa minuta pasi u publikua lajmi se Syla nga arratia ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, duke e quajtur këtë “akt fisnik”.
“Përshëndes dhe përgëzoj deputetin e Kuvendit te Kosovës, Azem Syla, për aktin fisnik të dhënies së dorëheqjes prej mandatit të deputetit për ti hapur plotësisht rrugën organeve të drejtësisë në procesin e zbardhjes dhe trajtimit të çështjes së hapur ndaj tij”, ka shkruar Veseli.
Sipas kryeparlamentarit, Syla me këtë veprim ka vendosur një “precedent të ri të qytetarisë dhe përgjegjësisë publike që duhet të shërbejë si standard dhe model për të gjithë ata që gjenden në rrethana të ngjashme”.
“Prandaj unë inkurajoj të tjerë aktorë politikë dhe funksionarë të lartë shtetërorë, që gjenden para akuzave apo kanë çështje të tilla të hapura me drejtësinë, që të ndjekin rrugën e njëjtë dhe të tërhiqen nga detyrat e rëndësishme që kanë në mënyrë që ta lënë drejtësinë sa më të lirë në përmbushjen e detyrës së vetë”, ka shkruar Veseli.
Tashmë ish-deputeti dhe anëtari i kryesisë së Partisë Demorkatike të Kosovës, kryesimin e të cilit pretendon ta marrë Kadri Veseli, nuk dihet se ku ndodhet përkundër faktit se ndaj tij ka një fletarrest.
Insajderi ka raportuar se Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal. Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro. Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006./Insajderi.com