Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se pjesëmarrja e tij në Konventën e Partisë Demokratike në ShBA – ku u nominua për presidente Hillary Clinton – ka qenë një përvojë “e jashtëzakonshme” për të.
Kjo pasi që sipas tij, “mikja e madhe e Kosovës, zonja Hillary Clinton bëri historinë, duke u bërë kandidatja e parë femër për presidente të Shteteve të Bashkuara”.
”Zonja Clinton, por edhe tërë kombi amerikan, në etapa të ndryshme të historisë kanë treguar se janë miq dhe aleat të shqiptarëve gjithandej ku jetojnë. Vendi ynë do të jetë përherë krenar dhe do të kultivojë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook.
Clinton edhe zyrtarisht është kandidate e demokratëve për presidente. Në këtë garë ajo do të përballet me republikanin Donald Trump./Insajderi.com