Veseli: Koha që biznesi ta luajë rolin zhvillimor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli: Koha që biznesi ta luajë rolin zhvillimor

    Insajderi
    16 August 2016 - 10:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në takim me përfaqësuesit e Zyrës së Komunitetit të Biznesit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetari Kadri Veseli, bisedoi për hartimin e një agjende të përbashkët ekonomike dhe pako të reformave të domosdoshme për periudhën vijuese.

    “Qëllimi i kësaj iniciative është që në kuadër të procesit të riformatimit të Qeverisë, të dëgjohet zëri i biznesit. Kjo pako e reformave do të shërbej si bosht për krijimin e iniciativave të cilat do të ndërmerren deri në fund të mandatit”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

    Në takim, si çështje urgjente, është paraqitur nevoja e shtyrjes së afatit të shlyerjes së borxheve publike për biznese deri më 31 dhjetor 2016 si dhe riaktivizimi i Bordit të pavarur për ankesa tatimore dhe doganore.

    “Qëndrimi është se duhet t’ju mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së borxheve publike deri në fund të vitit sepse do t’ju ndihmohej bizneseve me likuiditet dhe në anën tjetër sigurohet mbledhja e këtyre borxheve”, theksoi kryetari Veseli.

    Në takimin mes kryeparlamentarit Veseli dhe përfaqësuesve të Zyrës së Komunitetit të Biznesit u diskutua edhe për Bordin e Pavarur për shqyrtimin e ankesave, ndërsa u vlerësua se sistemi i bartjes së lëndëve në Gjykatë, nuk ka dhënë rezultatet e pritura, prandaj duhet ndërmarrë diçka në këtë drejtim.

    Gjithashtu, kryetari i Kuvendit kishte një takim me Shoqatën e Hotelerisë së Kosovës ku u njoh me problemet me të cilat kjo industri është duke u ballafaquar në Kosovë.

    “Është për të ardhur keq që një industri e cila është zhvilluar fuqishëm në Kosovë si dhe punëson një numër të madh të qytetarëve, ballafaqohet me shumë probleme dhe deri më tani nuk ka hasur në përkrahje për zhvillimin e mëtutjeshëm. Së bashku, do të adresojmë çështjen e TVSH-së, çështjen e guidave turistike, aftësimit profesional të stafit të mesëm si dhe një numër tjetër të çështjeve me rëndësi”, theksoi kryeparlamentari Veseli./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark