Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se “Vendimet e atij kongresi historik vlejnë edhe sot si denoncim e përgënjeshtrim qoftë ndaj atyre zërave sporadikë që përpiqen të mbjellin përçarje mes Prishtinës dhe Tiranës e qoftë ndaj atyre që aleancat i kërkojnë në Lindje”.
Veseli ka thënë se Kongresi i Manastirit i mbajtur 108 vjet më parë, ka qenë ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar.
“Kongresi i Alfabetit i mbajtur në Manastir 108 vjet më parë me pjesëmarrjen e figurave më të shquara nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora, ka qenë një ndër ngjarjet më të lavdishme të historisë së popullit tonë”, ka shkruar Veseli në rrjetin social facebook.
Veseli ka thënë se “në këtë Kongres kishte shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe protestantë të cilët duke njësuar alfabetin ndërmorën një hap vendimtar drejt unitetit kombëtar”.
“Po ashtu përcaktimi për shkronja latine ishte një vazhdim i traditës së Skënderbeu që orientimin strategjik e kishte drejt Perëndimit”, ka shtuar ai./Insajderi.com