Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në memorialin pranë Teatrit Bataclan, për t’i nderuar viktimat e sulmit terrorist të nëntorit të vitit 2015 Paris.
Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova solidarizohet me Francën, ndërsa shprehu përkushtimin e plotë të shtetit të Kosovës për luftë kundër terrorizmit, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
“Sot u përkulëm te vendi ku ranë viktimat e terrorit, vitin e kaluar, në Paris. Shprehim keqardhjen tonë dhe solidarizohemi me familjet e viktimave dhe popullin e Francës. Ne ndajmë vlerat e njëjta si Republikë e Kosovës dhe jemi aleatë në luftën kundër terrorizmit”, tha Veseli.
Veseli, po ashtu, tha se sulmi në Paris ka bërë që e gjithë bota demokratike të bashkohet dhe t’i intensifikojë përpjekjet në luftën kundër të së keqes./Insajderi.com