Procesi integrues i vendit, zhvillimi ekonomik, transparenca e punës së institucioneve dhe komunikimi janë të domosdoshme për efektivitetin e agjendave të përbashkëta në nivel institucional por edhe partiak.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka takuar Valon Muratin dhe drejtuesit tjerë të Lëvizjes për Bashkim, me të cilët diskutoi për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.
Kryetari Veseli theksoi se në vend dhe në skenën politike, janë duke ndodhur zhvillime pozitive por ka edhe sfida dhe me këtë rast falënderoi partnerin e koalicionit “Lëvizja për Bashkim”, për kontributin e dhënë duke e cilësuar si shumë të suksesshëm.
Ndërsa, Valon Murati, duke folur për situatën politike në vend, elaboroi planin e LB-së, të prezantuar në publik kohë më parë, për parandalimin e krizave politike në të ardhmen, transmeton lajmi.net.
“Plani përbëhet prej dy shtyllave: Reformës së thellë zgjedhore ku do të duhej të arrihej konsensus rreth mënyrës së zgjedhjes së presidentit, formës së listave, rritja e mundësive për votimin e diasporës etj, si dhe instalimin e tryezës së liderëve në të cilën do të diskutohej për çështje me interes nacional”, potencoi ministri Murati.
Qëndrim i përbashkët ishte se procesi integrues i vendit, zhvillimi ekonomik, transparenca e punës së institucioneve dhe komunikimi janë të domosdoshme për efektivitetin e agjendave të përbashkëta në nivel institucional por edhe partiak.