Kandidati nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli në tubimin e sotëm me qytetarë të Podujevës, theksoi se vetëm edhe tri ditë i ndan nga një moment vendimtar dhe ditë e madhe e fitores së PDK-së në Llap dhe gjithë Kosovën.
Veseli theksoi se orientimi i tij është në drejtim të fuqizimit të shtetit të pavarur dhe sovran, si dhe mbështetje për rininë, fermerët, ndërmarrësit, ku nuk do të ketë tatime të reja, përveç ulje të taksave.
Ai tha se ka për qëllim që përmes fuqizimit të ekonomisë, ta fuqizojnë shtetin e pavarur dhe sovran.
Po ashtu Veseli premtoi mbështetje për kategoritë e dala të luftës dhe rritje të pensioneve 80 përqind.
Për këtë platformë, Veseli kërkoi nga llapjanët që më 6 tetor ta votojnë PDK-në dhe ta fuqizojnë Kosovën dhe perspektivën e tyre.
Kandidati për deputet nga dega e PDK-së në Podujevë Rrustem Mustafa, është i bindur për fitoren e PDK-së në këto zgjedhje, sepse sipas tij, kjo parti ka platformën për luftimin e korrupsionit dhe ruajtjen e miqësisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, tha se vetëm me Kadri Veselin kryeministër mund të ketë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e vendit.
Kryetari i degës së PDK në Podujevë, Naim Fetahu tha se fitorja e PDK është e rëndësishme, sepse askush nuk di më mirë t’iu prijë proceseve nëpër të cilat kalon Kosova, se sa Kadri Veseli kryeministër.
Kandidatët për deputet nga radhët e PDK-së nga komuna e Podujevës janë Rrustem Mustafa, Fahri Osmani, Floretë Zejnullahu, Shqiptar Demaçi, Ismet Abdullahu, Nexhmi Muçiqi dhe Naim Fetahu.