
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka rikujtuar Ukshin Hotin në 17 vjetorin e zhdukjes së tij.
Ai e ka cilësuar atë si një nga heronjtë “më emblematikë të luftës për liri e pavarësi”.
“Profesor Ukshin Hoti ka pasur kurajën që të flas hapur kur shumë të tjerë heshtnin duke u shndërruar në një shembull të rrallë të intelektualit patriot e trim që idealet i mbronte me këmbëngulje e vetëmohim. Ai e ka trajtuar çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë në mënyrë shkencore e largpamëse duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën politike të popullit shqiptar”, ka thënë Veseli.
“Mungesa e tij ka lënë një boshllëk të madh e të pazëvendësueshëm, jo vetëm në zemrat e familjarëve, miqve, studentëve dhe të kujtdo që e ka njohur, por edhe në mbarë botën intelektuale shqiptare. Fati i pazbardhur dhe misterioz i mendimtarit tonë të shquar rëndon në ndërgjegjen tonë kolektive dhe na kujton për sakrificat e mëdha që janë bërë për të mundësuar ditët e lirisë dhe demokracisë që gëzojmë”./Insajderi.com