Një zjarr ka shpërthyer në një ndërtesë në lagjen “Emshir” të Prishtinës, duke detyruar evakuimin e disa banorëve. Abdusamet Shkodra, zëvendëskomandant i zjarrfikësve, ka folur për situatën pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të zjarrfikësve, shkruan Insajderi.
Ai ka thënë se zjarrfikësit kanë vepruar në përputhje me detyrat e tyre profesionale dhe kanë realizuar evakuimin e banorëve me shkallë, duke shtuar se tani gjendja është nën kontroll.
“Vështirë ka qenë, por ne jemi të thirrur, edhe profesional t’i bëjmë këto evakuime. Ekipet janë shpërnda në të gjitha drejtimet, kanë bërë evakuimin me shkallë, dhe çdo gjë tash është nën kontroll,” tha ai para gazetarëve.
Në vendngjarje ka shkuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka shprehur lehtësim pasi, sipas tij, nuk ka pasur viktima.
Rama falënderoi zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore për reagimin e shpejtë dhe efektiv.
Ndërkohë, Policia konfirmoi për Insajderin se si pasojë e këtij zjarri 13 persona kanë pranuar tretman mjekësor.