×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëlëndimi i nxënëseve në Gjakovë, reagon drejtoresha e DKA-së: Prindërit duhet t’i vërejnë ndryshimet e tyre

    Insajderi
    09 October 2024 - 19:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në një shkollë në Gjakovë, tri nxënëse kanë shkaktuar vetëlëndime si pasojë e një ‘sfide’ që ka origjinën në TikTok. Rasti është raportuar gjithashtu në polici.

    Drejtoresha e Arsimit, Eranda Kumnova-Baci, ka reaguar lidhur me këtë situatë, duke e cilësuar si alarmuese dhe duke theksuar nevojën për angazhim të përbashkët nga familja dhe shkolla për të mbrojtur fëmijët.

    “Familja ka një rol thelbësor në këtë proces. Duke qenë se fëmijët kalojnë shumicën e kohës në ambientin familjar, prindërit janë në pozitë më të mirë për të vërejtur ndryshime në sjellje, emocione apo shenja fizike që mund të tregojnë përfshirje në sjellje të rrezikshme. Ju inkurajojmë të mbani një kujdes të veçantë për veprimtaritë e fëmijëve tuaj në internet dhe të vini re çdo ndryshim të papritur në sjelljen e tyre, si tërheqje nga shoqëria, shenja fizike të vetëdëmtimit, ose shfaqje të ankthit. Dialogu i hapur me fëmijët është një nga mjetet më të fuqishme për të kuptuar se çfarë po ndodh në jetën e tyre. Fëmijët kanë nevojë për vëmendje, mbështetje dhe një ndjenjë sigurie që mund të vijë nga familja”, shkroi ajo në Facebook.

    Kumnova-Baci theksoi gjithashtu angazhimin e shkollës për të mbrojtur nxënësit.

    “Por, bashkëpunimi me familjet është i domosdoshëm për të pasur një qasje të plotë dhe të efektshme. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë, këshillim dhe mbështetje për çdo prind që ka shqetësime për fëmijën e tij”, theksoi e para e DKA-së në Gjakovë.

    “Përmes këtij bashkëpunimi, ne mund të identifikojmë dhe adresojmë problemet sa më herët dhe të ndihmojmë fëmijët të largohen nga rreziqet që përballojnë online. Ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj dhe përkushtimin për mirëqenien e fëmijëve tanë!”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark